
“Ekspresi është i fikur, nuk ka kafe”, mjafton një fjali e tillë për t’u kthyer në skenë krimi dhe për t’u vrarë dy të rinj në Manzë. Një tragjedi e vërtetë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Aranit Kurti 23 vjeç dhe Daniel Pepa, 21 vjeç u ulen në tavolinë dhe i kërkuan kafe kamerierit, Alteo Pepa. Ky i fundit ishte i ulur së bashku me Flori Paluçin, 33 vjeç.
Klientët marrin përgjigje negative në momentin që Pepa u thotë se nuk mund t’u shërbejë nis debati verbal mes të rinjve.
Kurti dhe Pepa kanë ofenduar kamerierin dhe në atë moment ka ndërhyrë Flor Paluçi i cili u ka thënë se nuk mund ta ofendonin se është në tavolinë me të. Sherri verbal ka përfunduar në përplasje fizike në ambientet e jashtme të lokalit.
Alteo Pepa në dëshminë e tij ka treguar se i pari që ka qëlluar ishte Flor Paluçi duke i marrë jetën Aranit Kurtit. Daniel Pepa është kundërpërgjigjur për shokun duke vrarë më tej Paluçin dhe është larguar nga vendngjarja.
E ftuar mbrëmjen e sotme në “Top Story” në Top Channel, gazetarja Anila Hoxha dha detaje mbi ngjarjen, teksa theksoi se një nga armët e përdorura në krim ende nuk është gjetur.
“Pas krimit vendngjarja është prekur, të dy të rinjtë që nuk jetojnë, janë dërguar në spital dhe policia nuk është njoftuar. Një nga armët e krimit nuk është gjetur ende. Duket si “Far West”, shpëton kush qëllon i pari…
Nëse shikon ngarkesat e personazheve të përfshirë, secili prej tyre pa i paragjykuar, ka disa ngarkesa të caktuara.
Mendoj se policia e ka emergjencë të hapë një sektor të posaçëm për të profilizuar krimin”, tha Hoxha.
Top Channel