
Vetëm tetë ditë para zgjedhjeve kombëtare, Autoriteti Holandez për Mbrojtjen e të Dhënave (AP) ka paralajmëruar se chatbot-ët e inteligjencës artificiale përbëjnë një kërcënim serioz për demokracinë, duke ndikuar në mënyrë të njëanshme tek votuesit.
Në një raport të publikuar së fundmi, autoritetet testuan katër chatbot-e të ndryshëm dhe zbuluan se ata shpesh përfundojnë duke rekomanduar dy parti politike, pavarësisht pyetjes apo kërkesës së përdoruesit.
Bëhet fjalë për Partia e Lirisë (PVV) e ekstremit të djathtë e udhëhequr nga Geert Wilders dhe GroenLinks-PvdA e krahut të majtë, e drejtuar nga ish-komisioneri evropian Frans Timmermans.
Sipas raportit, të cituar nga The Guardian, në mbi 50% të rasteve chatbot-ët sugjeronin njërën prej këtyre dy partive, ndërsa parti të tjera si CDA (e qendrës së djathtë) përmendeshin shumë rrallë, edhe kur pikëpamjet e përdoruesit përputheshin qartazi me ato të kësaj partie.
Organi mbikëqyrës holandez theksoi se “chatbot-ët mund të duken si ndihmës të zgjuar, por në kontekstin e votimit dështojnë vazhdimisht.
Zgjedhjet e 29 tetorit në Holandë po vëzhgohen nga afër në mbarë Evropën për shkak të rritjes së ndjeshme të mbështetjes për PVV-në. Megjithëse kjo parti kryeson në sondazhe, garuesit kryesorë si GroenLinks-PvdA dhe CDA po i afrohen në rezultat, ndërkohë që një pjesë e madhe e votuesve mbeten ende të pavendosur.
Top Channel