Sondazhi i Reuters për Trump, vlerësimi i presidentit amerikan rritet me 2% edhe pas mbylljes së qeverisë

21/10/2025 13:58

Vlerësimi për Donald Trump është rritur me 2%, pavarësisht mbylljes së qeverisë dhe trazirave të pashmangshme në ekonominë amerikane.

Sondazhi i Reuters/Ipsos, i kryer nga 15 deri më 20 tetor, tregon vlerësimin për presidentin në 42%, 2 më shumë se fillimi i muajit. Që nga prilli, vlerësimi i tij është luhatur midis 40% dhe 44%, teksa trendet e fundit që tregojnë mbështetje të qëndrueshme nga zgjedhësit e tij.

Në të kundërt, shumica e amerikanëve fajësojnë republikanët për mbylljen e qeverisë federale, 50% fajësojnë udhëheqjen e partisë në Kongres. Gjithashtu, 43% e të anketuarve i konsiderojnë demokratët përgjegjës për mbylljen.

Mbyllja, e cila është e treta më e gjatë në historinë e SHBA-së, vazhdon për ditën e 21-të, teksa mijëra punonjës federalë janë pezulluar. 20% e të anketuarve janë prekur financiarisht nga situata, ndërsa 40% thanë se njohin dikë që ka përjetuar pasojat.

90% e republikanëve vazhdojnë ta mbështesin Trumpin

Edhe pse kanë kaluar 21 ditë, konflikti politik vazhdon. Republikanët po propozojnë një zgjatje të buxhetit pa rritje të shpenzimeve. Nga ana tjetër, demokratët po bëjnë thirrje për zgjatjen e programeve të sigurimeve shoqërore për familjet më vulnerabël. Që projektligji të miratohet, të paktën shtatë senatorë demokratë duhet ta mbështesin propozimin republikan.

Në të njëjtin sondazh, 72% e amerikanëve pajtohen që subvencionet e sigurimeve shëndetësore duhet të zgjaten, gjë që rrit presionin për të arritur një marrëveshje. Pavarësisht tensionit politik, 90% e republikanëve vazhdojnë ta mbështesin Trumpin, ndërsa 5% e demokratëve duket se e vlerësojnë presidencën e tij.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta