
Një bombardim rus ndaj infrastrukturës energjetike ka lënë qindra mijëra njerëz pa energji elektrike në rajonin e Çernihivit në Ukrainë, ndërsa disa zona kanë mbetur edhe pa furnizim me ujë.
Sipas zyrtarëve, riparimet po pengohen nga kërcënimi i vazhdueshëm i sulmeve me dronë. Reuters raporton se sulmi goditi gjithashtu edhe rajonin fqinj të Sumyt në Ukrainën veriore.
Rajoni i Çernihivit, i cili para luftës kishte një popullsi prej pak më pak se një milion banorësh, është goditur shpesh nga sulmet ruse me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës energjetike javët e fundit, duke shkaktuar ndërprerje të vazhdueshme të energjisë dhe duke dëmtuar rëndë jetën e përditshme të banorëve.
“Ekipet e emergjencës në rajonin e Çernihivit nuk janë në gjendje të fillojnë punën për rivendosjen e furnizimit me energji për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga dronët rusë”, tha Ministria e Energjisë në një deklaratë në Telegram.
Ministria akuzoi Rusinë se sulmet e saj me dronë, kanë për qëllim vonesat e riparimeve dhe zgjatjen e krizave humanitare.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkroi në Telegram disa orë më vonë se punimet për riparimin e rrjetit po vazhdojnë.
“Taktikat e Rusisë janë të vrasë njerëz dhe t’i terrorizojë ata përmes të ftohtit”, tha ai.
“Presidenti rus Vladimir Putin pretendon se është i gatshëm për diplomaci dhe negociata për paqe, ndërsa në realitet, këtë natë Rusia nisi një sulm brutal me raketa dhe dronë,” shkroi zëvendësministri i Jashtëm Andrii Sybiha në platformën X.
Rusia ka goditur në mënyrë të përsëritur objektet energjetike të Ukrainës që prej nisjes së pushtimit në shkallë të plotë në vitin 2022, duke i konsideruar ato objektiva legjitimë ushtarakë në kuadër të luftës.
Top Channel