
Samiti i Procesit të Berlinit këtë vit mbahet në Londër, me në fokus bashkëpunimin rajonal dhe synimin për të ofruar siguri dhe rritje.
Platforma ndërkombëtare që bashkon qeveritë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me partnerë të tjerë europianë, shihet si një katalizator i anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE.
Ministri i jashtëm gjerman, Johann Wadephul e cilësoi disa kohë më parë këtë mekanizëm si më të rëndësishëm se kurrë. “Njerëzit atje kanë filluar të humbasin besimin se do të jenë pjesë e BE-së në të ardhmen e afërt”, ishte pohimi i tij.
“Ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë sepse atëherë do të rrezikonim një rikthim në ditët e vjetra të armiqësisë dhe një rol më të madh për Rusinë dhe Kinën”, qe shprehur ai.
Qeveria britanike njoftoi se teksa zhvillon aleancën e saj strategjike me Europën, do të punojë ngushtësisht me Gjermaninë si iniciatore e Procesit të Berlinit mbi prioritetet e tyre të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor. Qëllimet kryesore të samitit, sipas ekzekutivit britanik janë:
-të forcohet siguria europiane duke mbështetur aleatët e cenueshëm të NATO-s, duke iu kundërvënë ndikimit armiqësor dhe faktorëve që nxisin paqëndrueshmëri, duke ndërtuar komunitete rezistente, si dhe duke përballuar kërcënimet e përbashkëta që vijnë nga emigracioni i parregullt, krimi i organizuar dhe financimet e paligjshme
-do të kërkohet po kështu të promovohet rritja ekonomike duke zhbllokuar barrierat për tregtinë dhe investimet përmes bashkëpunimit të zgjeruar rajonal, duke mbështetur përafrimin europian dhe duke promovuar ekspertizën dhe mundësitë e investimit të Mbretërisë së Bashkuar të ofruara nga biznesi britanik dhe Financat e Eksportit të Mbretërisë së Bashkuar.
Samiti është parë me interes të veçantë nga qeveria britanike pikërisht për theksin që vendos tek rritja e bashkëpunimin ndërkombëtar për goditjen e krimit të organizuar dhe emigracionin e parregullt përgjatë rrugëve kryesore të tranzitit, çka do të ndihmonte edhe sigurimin e vetë kufijve të Mbretërisë së Bashkuar. Samitet e fundit të këtij lloji janë mbajtur në Berlin ne vitet 2024 dhe 2022, dhe në Tiranë në 2023-shin.
Top Channel