
Ukraina nuk duhet të heqë dorë nga territore të saj si pjesë e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë: Kjo deklaratë e shefes së diplomacisë së bllokut europian, Kaja Kallas erdhi pas nxitjeve të presidentit amerikan Donald Trump që Kievi të heqë dorë nga tokat për t’i dhënë fund luftës. Kjo qasje megjithatë, për Brukselin, është e rrezikshme.
“Nëse këto territore do të lëshohen kaq thjeshtë, atëherë mesazhi që u përcillet të gjithëve është se po, ju mund të përdorni forcën kundër fqinjëve tuaj dhe të merrni atë që dëshironi. Ne nuk duhet të harrojmë, që Rusia është agresori dhe Ukraina viktima. Rruga e duhur nuk është që të ushtrohet presion ndaj viktimës. Kjo është arsyeja përse e kemi ligjin ndërkombëtar, që askush të mos e bëjë këtë”, tha Kaja Kallas-kryediplomate e BE-së.
Komentet e Kallas erdhën pasi kryenegociatori i Trump, Steve Witkoff, i bëri presion Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të lëshuar rajonin e Donbasit në lindje të vendit si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi, teksa presidenti i SHBA-së i tha Fox News Sunday se Rusia do të mbante një pjesë të territorit që ka pushtuar në luftë.
Në sfondin e takimit të paralajmëruar ndërmjet presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin në Budapest, qeveria e Gjermanisë pret nga samiti i BE-së këtë javë një “sinjal të qartë mbështetjeje” për Ukrainën.
Veçanërisht në sfondin e një takimi të ,mundshëm Trump-Putin në Budapest vlen motoja “ne nuk e lemë Ukrainën në baltë”, thuhet në qarqet qeveritare në Berlin.
Në takimin e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të enjten dhe të premten në Bruksel fokusi do të jetë konkretisht një “financim afatgjatë i Ukrainës”, mësohet më tej. Qeveria gjermane pret, që në samit të ketë një “vendim politik” lidhur me pasuritë ruse të ngrira në Europë.
Pavarësisht “një sërë” çështjesh të hapura teknike, po konturohet një “konsensus i gjerë” për përdorimin e pasurive të ngrira ruse për një të ashtuquajtur kredi reparacioni për Ukrainën, shkruajnë mediat atje.
Top Channel