Forca britanike të sigurisë kufitare janë dërguar në Ballkan si pjesë e një tentative të re për të goditur trafikantët e qenieve njerëzore, e pohuar kjo nga sekretarja e brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Shabana Mahmood.

Mahmood njoftoi se zyrtarët britanike jane duke shqyrtuar mundësinë që ekipet e Britanisë së Madhe të vendosen përfundimisht përgjithmonë në rajon. Një pjesë e madhe e emigrantëve që udhëtojnë drejt Anglisë me varka të vogla, rrugëtimin e tyre e nisin në tokë nga Ballkani drejt bregdetit francez, e më tej përmes La Manshit.

Ministria e brendshme sqaroi se për pajisje, duke përfshirë dronë dhe syze për shikim natën, të cilat do të përdoren nga ekipet e zbatimit të ligjit në Ballkan për të ndjekur trafikantët, do të përdoren paratë e taksapaguesve britanikë. Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Londra i ka dhënë qeverisë franceze më shumë se 650 milionë paund për të bllokuar varkat me klandestinë, përpjekje kjo që deri më tani nuk ka dhënë shumë efekt.

Megjithë investimin e madh, që nga fillimi i krizës numri i emigrantëve që kalojnë La Manshin kapërceu 175 mijë, e nga këta 36,000 numërohen deri më tani këtë vit, që do të thotë një e treta më shumë se në të njëjtën periudhë kohe të vitit 2024. Gati 2,000 vetë hynë në Britani vetëm javën e kaluar.

Top Channel