George Russell e Kimi Antonelli do të vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës së Mercedes në Botërorin e Formula 1 edhe në vitin 2026.

Skuderia gjermane konfirmoi gjithçka në kanalet zyrtare të saj. Britaniku Russell, tashmë 27 vjeç, do të jetë në sezonin e tij të tetë me Mercedes vitin e ardhshëm, ndërsa i riu Antonelli do të jetë në vitin e tij të dytë.

Mercedes e bëri këtë njoftim pikërisht në javën e Çmimit të Madh të SHBA-së, që do të zhvillohet në Austin të Teksasit. Si Russell ashtu edhe Kimi Antonelli janë produkte të akademisë së Mercedes, programit të së cilës iu bashkuan respektivisht në vitet 2017 dhe 2019.

George Russell ka fituar titujt e GP3 dhe Formula 2 për të hyrë më pas në botën e Formula 1 dhe, pas tre vitesh te Williams, ai ka fituar pesë gara që nga momenti kur kaloi te Mercedes.

Ndërsa Andrea Kimi Antonelli ka fituar disa kampionate të Formula 4, titullin në Formula Regional, si dhe ka regjistruar disa fitore në Formula 2, përpara se të bënte debutimin e tij në Formula 1 në fillim të këtij viti. Që nga ai moment ai është bërë piloti i tretë më i ri në historinë e këtij sporti që ngjitet në podium dhe konsiderohet edhe si një prej debutuesve më të mirë në shumë sezone.

Top Channel