“Lufta mbaroi”/ Mbërritja e Trump në Izrael, Netanyahu i shtron tapet të kuq presidentit amerikan

13/10/2025 12:21

Presidenti amerikan Donald Trump mbërriti në Izrael ku shefit të Shtëpisë së Bardhë iu rezervua një pritje madhështore me qilim të kuq të shtruar në pistë, pavarësisht se në shtetin hebre ai nuk do të qëndrojë veçse pak orë.

Në aeroport kishin dalë një sërë presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe një sërë zyrtarësh të lartë ushtarakë.

“Lufta ka mbaruar”, u tha Trumpi gazetarëve gjatë fluturimit për në Izrael ku Netanyahu përsëriti edhe një herë se vendi i tij, nuk ka pasur kurrë mik më të mirë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Gjatë ndalesës së shkurtër në Izrael, Trump do të takohet me familjarë të pengjeve dhe do të flasë në parlamentin vendas, në Knesset. Më pas, do të udhëtojë për në Egjipt për një samit paqeje me udhëheqësit botërorë dhe një ceremoni zyrtare nënshkrimi të fazës së parë të marrëveshjes së tij të paqes në Gaza.

Sipas planit, operacionet ushtarake janë ndalur në enklavë. Hamasit i kërkohet shkatërrim i plotë i armëve. Faza e parë parashikon atë që po ndodh sot: lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë.

Një tjetër pikë e rëndësishme ka të bëjë me dërgimin e ndihmave në Gazë, proces që tashmë ka nisur. Shtetet e Bashkuara e kanë përmendur në plan edhe udhëheqjen e Gazës në të ardhmen.

Aty thuhet se “një komitet palestinez teknokratik dhe apolitik” do të qeverisë përkohësisht “me mbikëqyrje të një trupi ndërkombëtar, Bordi i Paqes” i cili do të drejtohet nga presidenti amerikan, Donald Trump, e ku do të do të marrin pjesë edhe liderë tjerë shtetesh.

Propozimi e bën të qartë se Hamasi nuk duhet të ketë asnjë rol në qeverisje “direkte, jodirekte, apo të çfarëdo forme”, ndërsa duket se lë të hapur mundësinë e një shtetësie palestineze.

Top Channel