Prej ditësh, Shqipëria është kthyer në epiqendrën e snooker-it evropian. Qindra sportistë nga 40 vende marrin pjesë në Kampionatin Evropian të Snooker-it 2025, që po zhvillohet në Golem.

Në ceremoninë hapëse të këtij kampionati, mbrëmjen e kaluar, morën pjesë emra të rëndësishëm të sportit, përfshirë Presidentin e Federatës Botërore të Snooker-it, Jason Ferguson. Turneu zhvillohet në disa kategori, përfshirë edhe garat për sportistët me aftësi të kufizuara, ndërsa paralelisht mbahet edhe Q-Tour, pjesë e renditjes ndërkombëtare për profesionistët.

Për Ogert Shkrepën, një nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Bilardos dhe Snooker-it, ky kampionat shërben si një shkollë për sportistët shqiptarë, në një disiplinë që është ende e re për vendin tone, ndërsa është një mundësi e mirë dhe për turizmin vendas.

Për Federatën Evropiane, ky event dhe të mëparshmit të zhvilluar në Shqipëri kanë vendosur një standard të ri organizimi në rajon.

Maxime Cassis, President i EBSA: “Për herë të tretë e zhvillojmë këtë garë ndërkombëtare në Shqipëri, rezultat i organizimit të shkëlqyer në Shqipëri. Kemi besim se vendi juaj do të ketë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në skenën evropiane të snooker-it. Për herë të parë në Shqipëri me mbështetjen e Federatës Botërore do të zhvillohen dhe përballjet për personat me aftësi të kufizuara”.

Kampionati do të zgjasë deri më 19 tetor, duke sjellë emocion, rivalitet sportiv dhe një mundësi të artë për Shqipërinë që të shquhet si një nga qendrat e reja të rëndësishme të snooker-it në kontinent.

Top Channel