Al-Hilal ka bërë një lëvizje të bujshme në tregun ndërkombëtar, duke ofruar plot 400 milionë euro për supertalentin e Barcelonës, Lamine Yamal.

Lajmi bëhet i ditur nga portali spanjoll Fichajes.net, sipas të cilit klubi saudit ka kontaktuar tashmë drejtuesit e “blaugranëve”, por është përballur me një refuzim të prerë: “Yamal nuk është në shitje”, kanë deklaruar burime pranë klubit katalanas.

Yamal, vetëm 18 vjeç, është i lidhur me Barcelonën deri në vitin 2031, me një kontratë që përfshin një pagë fikse prej 10 milionë euro në vit, plus një bonus nënshkrimi prej 25 milionë eurosh, i shpërndarë gjatë 6 viteve. Shifra këto që vetëm klubet e pasura të Saudi Pro League mund t’i sfidojnë — dhe Al-Hilal e ka bërë pikërisht këtë.

Aktualisht, Yamal po rikuperohet nga një inflamacion në ijë, që e ka mbajtur jashtë fushave në ndeshjen e fundit të Barcelonës në La Liga (humbje 4-1 ndaj Sevillas), si dhe nga grumbullimi me kombëtaren spanjolle për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Gjeorgjisë dhe Bullgarisë.

Në dyshim mbetet edhe prezenca e tij në derbin katalanas të së shtunës ndaj Girona-s, me trajnerin Hansi Flick që nuk dëshiron të rrezikojë, për ta pasur gati për El Clásico-n e 26 tetorit kundër Real Madridit.

Oferta marramendëse për Yamal vjen në një moment të vështirë për Barcelonën, pas dy humbjeve të rënda – ndaj PSG-së në Champions dhe Sevillas në kampionat.

Sipas Fichajes.net, humbja në Sevilla ka ndezur mosmarrëveshje të brendshme mes trajnerit Flick dhe lojtarëve, përfshirë Yamalin. Gjermani raportohet se ka kritikuar mungesën e përkushtimit në stërvitje dhe ndeshje, ndërsa lojtarët ankohen për mungesë dialogu dhe pakënaqësi nga stafi teknik.

Këto tensione mund të ndikojnë seriozisht në situatën e merkatos dhe, sipas mediave spanjolle, interesi i Al-Hilal vetëm sa i komplikon më shumë gjërat në “Camp Nou”.

Top Channel