
Prej më shumë se dy vitesh, lindja e diellit nuk sjell një ditë të re për banorët e Gazës, që lufta i ka bërë të përjetojnë një vuajtje pa fund.
Poetja palestineze Nima Hasan tregon se bombardimet kanë shkatërruar çdo gjë, por nuk kanë shuar ëndrrat e banorëve që jetojnë me frikën e bombardimeve.
“Fillova të shkruaj disa vite më parë, po kërkoja një vend për të jetuar, por zbulova se të zhytesh në poezi, është më argëtuese dhe luksoze. Para disa vitesh, shtëpia ime u shkatërrua dhe unë gjendesha brenda me familjen time. Kaluan vite dhe përvoja u përsërit prapë, përvoja e vdekjes dhe e mbijetesës. Shtëpia ime u bombardua dhe unë ndodhesha brenda me fëmijët e mi. Raketa që peshonte 1 ton e gjysmë nuk shpërtheu, por… po sikur të shpërthente?!” u shpreh poetja.
Përmes një videomesazhi që u transmetua në Festivalin Letrar për të rinj, në një sesion nën moton “Palestina flet”, shkrimtarja që vlerësohet si zë i qëndrueshmërisë, rezistencës dhe rrëfimit të historive në Gaza,
“Nuk e di nëse bota sot gëzon shëndet të mirë apo jo. Por, pavarësisht frikës zgjohem me pasionin e një gruaje që do ta mposhtë botën. Shpresoj që fitimtarët e saj të dalin fitimtarë mbi urinë, mbi varfërinë, mbi trishtimin dhe mbi luftën. Unë jam nëna e shtatë fëmijëve. Jetoj në një qendër refugjatësh për të dhjetën herë. Punoj si punonjëse sociale. Vizatoj me fëmijët, këndoj dhe i mësoj ata të bëjnë muzikë, muzikë nga mbeturinat. E dua shumë punën time dhe dashuroj të shkruaj”, tha poetja Nima Hasan.
Ndonëse lufta u ka marrë gjithçka kishin, teksa armëpushimi ka hyrë në fuqi, fëmijët në Gaza manifestojnë për një të ardhme plot ngjyra, ashtu sikurse këto pjesë muzikore që performojnë në kampet ku janë strehuar.
Top Channel