
Në daljen e parë publike si kandidat i mbështetur nga opozita për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj bëri një deklaratë të fortë kur deklaroi se nuk do të dalë në fushatë me liderin e PD-së, Sali Berisha.
Në një intervistë në “Top Story” me Grida Dumën ai u shpreh se krerëve të partive opozitare i ka kërkuar vetëm grupe pune.
“Unë nuk kam folur me Berishën ende. Nuk do të dal me asnjë kryetar në fushatë as me Berishën. Nuk do të shoqërohem në fushatë, i kam kërkuar të sjellin grupe punë por me asnjë kryetar partie opozite”, u shpreh Binaj.
I pyetur në konferencën e sotme për shtyp lidhur me deklaratat e kandidatit të opozitës, Sali Berisha tha se një kandidat i pavarur, pavarësisht se mbështetet nga parti politike, nuk ka pse të bëjë fushatë me kryetarët e këtyre partive.
“E përshëndes plotësisht këtë deklaratë. Ka një rrymë që nuk realizojnë dot dallimin mes kandidatit të pavarur të mbështetur nga partitë politike dhe kandidatit jopartiak të propozuar nga partitë. Kandidati jopartiak i propozuar nga parti politike është kandidat i partisë politike.
Kandidati i pavarur që mbështetet nga partitë, në interesin më të mirë të qytetarëve, nuk ka pse të bëjë asnjë fushatë me kryetarët e partive. Kryetarët e partive do angazhohen me të gjitha mundësitë e tyre për të mobilizuar elektoratin partiak për t’a votuar atë”, deklaroi Berisha.
Top Channel