Fiks Fare/Topojani në Bulqizë, fshati pa ujë dhe me drita të dobëta. Banorët jetojnë mes bretkosave dhe shpresës

10/10/2025 21:02

Në fshatin Topojan të Njësisë Administrative Maqellarë, që i përket Bashkisë Bulqizë, jeta e përditshme e rreth 120 banorëve është kthyer në një betejë të përditshme për gjërat më elementare, ujin e pijshëm dhe energjinë elektrike.

Banorët e Topojanit thonë se tensioni i energjisë elektrike në fshat është shumë i ulët.

Në disa shtëpi shkon vetëm 135 – 170 volt, çka e bën të pamundur përdorimin e pajisjeve elektro-shtëpiake, madje as me stabilizatorë.

Sipas tyre, rrjeti elektrik është i vjetër, me tela të vendosur që në vitet 1970 dhe shtylla druri që tashmë janë dëmtuar nga koha.

Para dy vitesh, transformatori i fshatit pësoi defekt dhe, pas zëvendësimit nga OSHEE, situata u përkeqësua edhe më shumë.

“Ne s’kemi drita. Motorët e pompave nuk ndezin, as frigoriferët, as lavatriçet. Shtyllat janë prej druri dhe tela si në kohën e gjyshërve tanë,” – thotë një banor i fshatit.

Edhe më e rëndë është situata me ujin e pijshëm. Topojani nuk ka ujësjellës dhe banorët janë të detyruar të shkojnë në përrenj, puse apo gropa natyrore për të marrë ujë. Disa familje blejnë ujë me autobote, por kjo zgjidhje është e përkohshme dhe e kushtueshme.

Në një nga lagjet e fshatit, 12 familje përdorin një pellg të improvizuar me ujë, ku bashkë me tubat e plastikës jetojnë bretkosat.

“Ky është uji që pimë, për të larë dhe për të gatuar. Kemi bretkosa, baltë e çdo gjë tjetër, por s’kemi zgjidhje tjetër,” – shprehet një tjetër banor. Për të kuptuar pse fshati nuk ka ujë, u interesuam në Shoqërinë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër.

Inxhinieri Ajet Brahoja tha për Fiksin se “Fshati Topojan nuk është në listën e fshatrave që kemi marrë në administrim nga Bashkia Bulqizë. Ne nuk kemi asnjë njoftim apo detyrim për këtë zonë. Bashkia duhet të bëjë kërkesë zyrtare që ta fusim në projektet tona.”

Nga ana tjetër, në Bashkinë Bulqizë ekziston një kërkesë zyrtare e datës 17 shtator 2025, drejtuar kësaj shoqërie, ku kërkohet ndërhyrje për gjashtë fshatra të njësive Shupenzë dhe Ostren që janë pa ujësjellës.
Por Topojani nuk përfshihet ende në këtë listë, çka do të thotë se banorët duhet të presin edhe më gjatë.

Në fshat janë ndërtuar disa shtëpi të reja e të bukura, madje një prej tyre, ndërtuar nga një emigrant me kosto shumë të lartë. Por pronari i saj është detyruar të shpërngulet në Tiranë për shkak të mungesës së ujit dhe sot jeton me qira.
Derisa të zgjidhet situata me ujin dhe energjinë, banorët e Topojanit vazhdojnë të mbushin bidonët nëpër gropa e përrenj, ndërsa pompat, frigoriferët e dritat mbeten të fikura.

FOTO GALERI
3/7

Top Channel