Qyteti i Kukësit ka rifituar furnizimin me energji elektrike, por situata mbetet problematike në disa zona rurale të qarkut, ku banorët vijojnë të jenë pa energji.

Sipas njoftimit të Shtabit të Emergjencave, deri në orën 08:20 të datës 14 nëntor, pa energji elektrike vijojnë të jenë fshatrat Krenxë, Nangë dhe Bushat në Bashkinë Kukës; Kishaj, Pogaj, Cahan dhe Mujaj në Bashkinë Has, si dhe Pac, Berishë dhe një pjesë e Njësisë Administrative Lekbibaj në Bashkinë Tropojë.

Ndërkohë, në të gjithë territorin e qarkut vijojnë reshjet e shiut me intensitet të ulët. Në disa segmente të rrugëve nacionale janë evidentuar rënie gurësh dhe inertesh, ndërsa firmat kontraktore po punojnë për pastrimin e tyre.

Autoritetet bëjnë me dije se të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme dhe nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk raportohen problematika të tjera.

Furnizimi me ujë të pijshëm vijon sipas orareve të përcaktuara. Situata vijon të monitorohet nga strukturat përgjegjëse, ndërsa mbetet shqetësim mungesa e energjisë elektrike në disa fshatra të qarkut.

Top Channel