Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda në sallë, avokati rikthen në kujtesë plagosjen me armë në Gjykatën e Fierit përpara 18 vitesh

09/10/2025 13:52

Ndërkohë që në Gjykatën e Fierit vijon bojkoti i seancave pas ngjarjes  së  rëndë  të  ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku humbi jetën tragjikisht gjyqtari Astrit Kalaja, avokati Ervis Goxhaj ka risjellë në kujtesë, sulmin me armë brenda Gjykatës së Fierit në vitin 2007, ku një person i përfshirë në një proces gjyqësor civil qëlloi me armë gjyqtaren Irena Maneku.

Nga të shtënat gjyqtarja mbeti e plagosur, por ngjarja bëri që për herë të parë në një gjykatë në vend të vendosej roje sigurie dhe detektorë të metaleve.

Po sipas tij sot Gjykata e Fierit megjithëse me kontroll të rreptë në hyrje, vazhdon të ketë mangësi në standardet e sigurisë  së  gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve. Sipas Goxhajt nga njëra anë mbingarkesa pas hartës së  re gjyqësore dhe mungesa e hapësirave për zhvillimin e gjyqeve, cenon sigurinë  e magjistratëve ndërsa thekson se  Fierit i duhet urgjent një godinë e re gjyqësore

Plagosja me armë e gjyqtares së Fierit në  vitin 2007 ishte rasti i parë  në  vend ku një  gjyqtar sulmohej brenda gjykatës në krye dhe për shkak të detyrës. Që atëherë kontrollet për hyrjen në gjykatë u forcuan. Me 21 gjyqtarë  dhe mbulimin e  një popullsie prej 300 mijë banorësh, gjykata e Fierit ka vetë m 5 salla gjyqesh, pa dhoma këshillimi dhe me hapësira ku më  e madhja nuk i kalon 5 metra katrorë.

Ndërkohë avokati Goxhaj pavarësisht zvarritjeve që sjellin proceset gjyqësore, që tejlodhin qytetarët e konsideron çmenduri njerëzore shprehjen” i lumtë dora agresorit”. Ka një agresion të frikshëm nga qytetarët ndaj njerëzve të drejtësisë ndaj sot siguria e tyre është në alert ka shtuar më tej avokati.

Në reagimin e saj, Gjykata e Fierit, sulmin vdekjeprurës ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja e ka cilësuar goditje ndaj themeleve të Shtetit të së drejtës dhe ndaj çdo qytetari që beson në ligj dhe drejtësi.

Top Channel