
Suman Mokhtarian, luftëtar i arteve marciale të përziera (MMA) dhe ish-garues në UFC, është qëlluar për vdekje në moshën 33-vjeçare në një periferi të qytetit Sidnej, Australi.
Sipas policisë lokale, Mokhtarian u qëllua në pjesën e sipërme të trupit teksa ishte duke ecur në rrugë, në atë që besohet të ketë qenë një sulm i planifikuar dhe i qëllimshëm. Të shtënat erdhën nga një makinë Audi e kuqe, e cila u largua menjëherë pas ngjarjes.
Shërbimet mjekësore mbërritën në vendngjarje dhe i dhanë ndihmën e parë Mokhtarianit, por plagët rezultuan fatale.
Nuk ishte hera e parë që Mokhtarian përballej me kërcënime për jetën. Në vitin 2024, ai i shpëtoi për mrekulli një atentati, kur një person i maskuar si shpërndarës e qëlloi disa herë jashtë palestrës së tij “Australian Top Team”, por nuk arriti ta godiste. Autori i atentatit u arrestua, por më pas u la i lirë me kusht.
Më herët, në prill të vitit 2025, policia anuloi një ngjarje të MMA-së ku Mokhtarian pritej të merrte pjesë, për shkak të frikës nga një tjetër atentat i mundshëm, i dyshuar se ishte planifikuar nga anëtarë të një bande.
Mokhtarian ishte i njohur për publikun e MMA-së si një nga pjesëmarrësit në spektaklin e UFC-së “The Ultimate Fighter”. Ai kishte një rekord profesional në UFC me 0 fitore dhe 2 humbje, por mbeti një figurë e respektuar në komunitetin e sportit në Australi.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur motivet e sakta të vrasjes, ndërsa makinat e sigurisë dhe dëshmitë e banorëve pritet të luajnë rol kyç në identifikimin e autorëve.
Top Channel