
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pranuar për herë të parë se mbrojtja ajrore ruse është përgjegjëse për rrëzimin aksidental të një avioni të kompanisë “Azerbaijan Airlines” në dhjetor të vitit të kaluar, ku humbën jetën 38 persona.
Putin deklaroi të enjten se raketat e lëshuara nga forcat ruse për të shënjestruar një dronë ukrainas ka shpërthyer pranë avionit civil që po fluturonte nga Baku drejt Groznit, kryeqyteti i republikës së Çeçenisë, më 25 dhjetor 2024. Ai sqaroi se shpërthimi ndodhi ndërsa avioni po përgatitej për ulje, duke shkaktuar dëmtime fatale.
“Pala ruse do të bëjë gjithçka për të siguruar kompensim dhe për të dhënë një vlerësim ligjor për veprimet e zyrtarëve përgjegjës”, tha Putin gjatë një takimi me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, në kryeqytetin e Taxhikistanit, Dushanbe, ku të dy po merrnin pjesë në një samit të vendeve ish-sovjetike.
Autoritetet e Azerbajxhanit kishin raportuar më herët se avioni “Embraer 190” u godit aksidentalisht nga raketa ruse dhe tentoi të bënte një ulje emergjente në Kazakistanin Perëndimor, por u rrëzua duke shkaktuar vdekjen e 38 personave nga 67 pasagjerët në bord.
Putin ka sqaruar se incidenti ndodhi për shkak të një mosfunksionimi teknik në sistemin e mbrojtjes ajrore, duke shtuar se dy raketa shpërthyen vetëm 10 metra larg avionit civil.
Ndërkohë, presidenti i Azerbajxhanit kishte kritikuar ashpër përpjekjet e Moskës për të heshtur incidentin, duke thelluar tensionet mes dy vendeve që më parë gëzonin marrëdhënie të ngushta.
Këto marrëdhënie u tensionuan edhe më shumë pas vdekjes së disa shtetasve të Azerbajxhanit të ndaluar nga policia ruse në qershor dhe nga një sërë arrestimesh të qytetarëve rusë në Azerbajxhan.
Duke folur pas takimit me Putinin, Aliyev e falënderoi atë për mbajtjen e çështjes nën kontroll personal dhe për përpjekjet për zbardhjen e incidentit. Ai shprehu gjithashtu shpresën për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Top Channel