Plani për paqen në Gaza/ PD kërkoi të përshëndetet në Kuvend, Balla: Mos u bëni qesharakë, kursejani Kuvendit këto lloj diskutimesh

09/10/2025 10:33

Deputeti i PD-së, Tritan Shehu kërkoi sot në Kuvend që të përshëndetet faza e parë e marrëveshjes për paqen mes Izraelit dhe Hamasit.

 

Por sipas kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla ky lloj diskutimi i duhet kursyer Kuvendit, pasi ajo nuk është ratifikuar ende.

Debati

Tritan Shehu: Sot është një ditë historike, duke u gdhirë u nënshkrua marrëveshja e paqes e planit të Trump për Lindjen e Mesme dhe nuk mund të kalojë për heshtje në parlamentin shqiptar. Nuk e di për çfarë arsye nuk shpreheni, na takon ne si opozitë ta kërkojmë. Është edhe për interesat e Shqipërisë të rreshtohemi me ata që e përshëndesin këtë plan.

Balla: Jemi ende në fazën e parë të marrëveshjes, historike nëse do ndodhë, që nuk është ratifikuar. Kursejeni këtë njeriun (Tritan Shehun) se ndonjë ditë do na shpallë luftë me Marsin. T’ia kursejmë vetes këto diskutime se dukemi qesharakë. Ne i përshëndesim të gjitha përpjekjet maksimaliste të Presidentit Trump, por t’ia kursejmë Kuvendit këto lloj diskutimesh.

Berisha: Zoti Shehu përshëndeti hapin e parë të marrëveshjes prej 21 pikash të planit të paqes të Presidentit Trump dhe e kanë përshëndetur edhe personalitete botërore. Izraeli tërhiqet në një linjë të caktuar, lirohen 20 pengjet e gjalla nga Hamas. Kush e pengoi Kryetarin  Kuvendit të hapë Parlamentin me një përshëndetje për këtë? Janë 20 pengje që lirohen, kjo është për t’u përshëndetur. Ti hape Parlamentin me një apologji hipokrite, Enver Hoxhën e fute ti me urdhër të Ramës. Ka një ligj të vitit 1992 që dënon propagandën e Hoxhës, nuk është pune e bibliotekës kjo. Imagjinoni ju po të futej Hitleri në Bundestag.

Top Channel