
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka mbajtur një fjalim ditën e sotme, në kuadër të Ministerialit të Procesit të Berlinit, i cili po mbahet në Belfast të Irlandës së Veriut.
Fjalimi i Spiropalit u fokusua u fokusua tek rëndësia e shfrytëzimit të mekanizmave të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Planin e Rritjes, forcimin e ekonomive, sundimin e ligjit, qëndrueshmërinë dhe fuqizimin e të rinjve.
“Sfida si paqëndrueshmëria politike në Bosnjë-Hercegovinë, dialogu Kosovë-Serbi, agjenda destabilizuese e aktorëve të jashtëm, pranimi i përgjegjësive historike, si gjenocidi i Srebrenicës dhe refuzimi i revizionizmit, duhen përballuar me udhëheqje vizionare për të siguruar paqe të qëndrueshme dhe për të përmbyllur rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh Ministrja Spiropali përgjatë darkës së mirëseardhjes të këtij ministeriali.
Gjatë fjalës së sotme në sesionin qendror të Ministerialit të Procesit të Berlinit, Ministrja Spiropali theksoi se Ballkani Perëndimor nuk është një barrë mbi supet e Evropës, por një fuqi e pashfrytëzuar që pret të zgjohet.
“Shqipëria është dëshmia se ndryshimi i vërtetë nuk imponohet nga jashtë ai lind nga brenda, kur udhëheqja ka vizion, kur reformat janë të guximshme dhe kur besimi bëhet shtylla e çdo transformimi”, deklaroi Spiropali.
Në këtë sesion që lidhej me sigurinë evropiane, Spiropali theksoi gjithashtu se Shqipëria qëndron fort përkrah BE-së dhe NATO-s, në mbrojtje të paqes, demokracisë dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
“Megjithatë, e ardhmja jonë nuk mbështetet vetëm në politikë, por edhe në gjallërinë ekonomike dhe ndërlidhjen rajonale”, tha Ministria.
Ndërkohë, përgjatë sesionit tjetër që lidhej me pajtimin rajonal, Ministrja Spiropali u ndal tek rëndësia që vendi ynë i kushton atij.
“Për Shqipërinë, pajtimi rajonal nuk është vetëm një zgjedhje politike, por një detyrim moral dhe një strategji për paqe e përparim. Sepse pajtimi i vërtetë nuk shkruhet në letër, ai ndërtohet në zemra. Ai kërkon guxim për t’u përballur me hijet e së shkuarës, dhembshuri për të nderuar kujtesën e viktimave, e mbi të gjitha, vizion për të ndërtuar një të ardhme ku ndryshimet nuk ngjallin frikë, por frymëzojnë bashkëjetesë”, u shpreh Ministrja Spiropali.
Top Channel