Mbyti dy foshnjat e saj dhe fshehu trupat në dollap, zbardhen detaje tronditëse nga krimi i nënës 25-vjeçare

09/10/2025 19:39

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë jugore ku një 25-vjeçare është arrestuar në zonën e Reggio Calabria-s, e akuzuar për vrasjen e dy fëmijëve të saj binjakë menjëherë pas lindjes. Ngjarja ka ndodhur në korrik të vitit 2024, por hetimet janë finalizuar ditën e sotme.

Sipas prokurorisë, gruaja i ka mbytur foshnjat dhe më pas ka fshehur trupat në dollapin e dhomës së saj, të mbështjellë me një batanije.

Tragjedia u zbulua nga nëna e 25-vjeçares, e cila kishte ndier erën e rëndë që vinte nga dhoma.

Hetimet kanë zbuluar se i fejuari i saj, që është edhe babai i fëmijëve, dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor në krim. Dyshimet janë forcuar nga një sërë mesazhesh telefonike të shkëmbyera mes çiftit, ku flitej për fëmijët dhe mënyrën se si do t’i fshehnin dhe tashmë edhe babai akuzohet për bashkëpunim në vrasje.

Nga këto komunikime, hetuesit kanë zbuluar edhe mundësinë e një krimi tjetër. Dyshohet se çifti ka vrarë edhe një foshnjë të tretë, në vitin 2022, e cila mendohet se është varrosur në një tokë që i përkiste familjes së vajzës ndërsa policia dhe karabinierët po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit.

E reja ishte shtruar më herët në një spital në Reggio Calabria për shkak të gjakderdhjes së rëndë, pak para se nëna e saj të gjente trupat e binjakëve në shtëpi. Ajo kishte mohuar kategorikisht se ishte shtatzënë apo se kishte lindur.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet italiane po përpiqen të zbardhin plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje makabre që ka tronditur opinionin publik.

Top Channel