Në polin e drejtësisë u mblodhën këtë të enjte gjykatësit nga i gjithë vendi, me kërkesë të Gjykatës së Lartë për të diskutuar situatën pas vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja.

Pas mbledhjes urgjente, gjyqtarët dolën në një deklaratë.

“Në kujtim të gjyqtarit të rënë në krye të detyrës, Astrit Kalaja. Njohja e statusit “ Dëshmor i Atdheut” gjyqtarit Astrit Kalaja, salla e Mbledhjeve të Gjyqtarëve pranë godinës së KLGJ të marrë emrin e të ndjerit gjyqtar Astrit Kalaja”.

Kjo ishte një nga kërkesat e mbledhjes së gjyqtarëve që vendosi të kërkojë ngritjen e një grupi nga pesë institucione për Forumit Kombëtar të sigurisë Kombëtare dhe për të hartuar një platformë kombëtare për sigurinë gjyqësore.

DEKLARATA E GJYQTARËVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në këtë ditë të rëndë për drejtësinë shqiptare, gjyqtarët e Republikës, të bashkuar në një zë, shprehin dhimbjen e thellë, tronditjen njerëzore dhe indinjatën institucionale për ngjarjen tragjike që i mori jetën kolegut tonë, gjyqtarit Astrit Kalaja.

Kjo nuk është vetëm humbja e një njeriu të drejtësisë — është një plagë për gjithë sistemin, një goditje ndaj shtetit të së drejtës dhe një sulm ndaj pavarësisë së gjyqësorit. Vrasja e një gjyqtari në sallen e gjykimit është kufiri i fundit i cenimit të sigurisë dhe dinjitetit të drejtësisë.

Në këtë moment dhimbjeje e reflektimi, ne deklarojmë me vendosmëri:
Drejtësia nuk do të përkulet.

Asnjë akt dhune, kërcënimi apo fushatë urrejtjeje nuk do ta ndalë gjyqtarin shqiptar nga përmbushja e detyrës së tij kushtetuese. Pavarësia e gjyqësorit nuk është privilegj, por garanci për çdo qytetar që kërkon mbrojtje përmes ligjit.

Ngjarja e rëndë është pasojë e një klime të helmuar fyerjesh dhe kërcënimesh ndaj gjyqtarëve, e ushqyer nga gjuha e urrejtjes dhe ndërhyrjet e papërgjegjshme që kanë minuar besimin publik. Kjo klimë duhet të marrë fund.

Ne, gjyqtarët e Republikës, nuk do të lejojmë më që heshtja të interpretohet si dobësi. Do të reagojmë me dinjitet dhe përgjegjësi. Nuk kërkojmë privilegje — kërkojmë siguri, respekt dhe kushte për ushtrimin e ndershëm të detyrës.

Kjo ngjarje është një thirrje për veprim institucional. Sistemi gjyqësor po përballet me mungesë sigurie, godina të amortizuara, ngarkesë të papërballueshme pune dhe mungesë mbështetjeje. Drejtësia ka nevojë për forcim, për kushte të sigurta dhe për institucione që veprojnë, jo që heshtin.

Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të reagojë me forcë, përgjegjësi dhe guxim institucional. Kjo nuk është thirrje për konflikt, por për përgjegjësi.

Po kështu, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të marrin përgjegjësinë për gjendjen ku ndodhet sot drejtësia. Shteti nuk mund të kërkojë drejtësi të pavarur, nëse nuk garanton kushtet minimale për ushtrimin e saj. Siguria në gjykata është kusht për ekzistencën e shtetit të së drejtës.
Në këtë frymë reflektimi dhe uniteti Mbledhja e Gjyqtareve të RSH shpreh vullentin e qartë mbi këto angazhime:

Siguria gjyqësore

– Krijimi i një Grupi Ndërinstitucional me përfaqësim nga KLGJ, KLP, MD, MB, Polica e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese për organizimin e një Forumi Kombëtar për Sigurinë Gjyqësore.
– Hartimi i një Platforme Kombëtare për Sigurinë e Gjyqtarëve dhe Gjykatave.
– Vendosja e një force të posaçme sigurie në gjykata dhe ndërtimi i protokolleve të reagimit ndaj incidenteve.
-Hartimi dhe zbatimi i një Platforme Kombëtare për Sigurinë Gjyqësore.
-Miratimi dhe zbatimi i menjëhershëm i masave konkrete për garantimin e sigurisë fizike në gjykatë dhe kushteve të ushtrimit të funksionit gjyqësor.
Ndërhyrje të menjëhershme në ligjet ose aktet nënligjore që rregullojnë sistemin gjyqësor për të garantuar siguri fizike, jetësore, shëndetësore dhe pasurore për gjyqtarët dhe stafin e gjykatave.
-Miratimin e një strategjie kombëtare për ndërtimin e godinave të gjykatave në të gjithë territorin e RSH.
-Inspektim kombëtar i gjykatave për siguri, akses dhe kushte pune. Standardizim i procedurave të sigurisë dhe trajnime për menaxhimin e krizave. Pajisja e të gjitha gjykatave
me skaner dhe dedektor për garantimin e sigurisë në gjykata.

2. Përfaqësimi institucional dhe organizimi i brendshëm
– Krijimi i dy grupeve të përhershme pune pranë Këshilit të Lartë Gjyqësor për ideimin e nismës për ndryshime të akteve ligjore dhe nënligjore në lidhje me statusin e magjistratëve dhe për organizimin e sistemit gjyqësor.
– Ndërgjegjësimi publik dhe bashkëpunimi me median.

– Promovim i një komunikimi profesional që shmang gjuhën denigruese. Refuzim i gjuhës së urrejtjes, fyerjeve dhe kërcënimeve si normalitet në diskursin publik dhe politik ndaj gjyqtarëve.

– Përgjegjësi dhe veprim institucional
– Nxitje për KLGJ që të ushtrojë me forcë mandatin kushtetues.
– Kërkesë që Kuvendi dhe Qeveria të marrin masa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës në gjykata.
– Angazhime morale e profesionale të gjyqtarëve
– Përkushtim për gjykim në kohë, vendime të arsyetuara dhe qëndrueshmëri në jurisprudencë.
– Pranim i përgjegjësisë për forcimin e brendshëm të sistemit si themel i autoritetit moral të drejtësisë.

8. Në kujtim të gjytarit të rënë në krye të detyrës, Astrit Kalaja
-Njohja e statusit “ Dëshmor i Atdheut” gjyqtarit Astrit Kalaja.
-Salla e Mbledhjeve të Gjyqtarëve pranë godinës së KLGJ të marrë emrin e të ndjerit gjyqtar Astrit Kalaja.

Ngjarja e 6 Tetori nuk duhet të mbetet kujtesë e dhimbshme, por moment zgjimi kombëtar për drejtësinë shqiptare.
Ne nuk kërkojmë keqardhje — kërkojmë veprim
Sepse një gjyqtar i pambrojtur është një drejtësi e pambrojtur, dhe një drejtësi e pambrojtur është një qytetar pa shpresë.
Ne angazhohemi solemnish që, pavarësisht tronditjes, të vijojmë të gjykojmë me paanshmëri, ndershmëri dhe kurajë.
Drejtësia shqiptare nuk dorëzohet — ajo ringrihet.
Drejtësia nuk do të ndalet.
Ajo do të vazhdojë të veprojë me guxim, për të mbrojtur lirinë, të drejtat dhe dinjitetin e çdo qytetari shqiptar.

Top Channel