Vrasja e gjyqtarit Kalaja, reagon ashpër Spiropali: E turpshme glorifikimi i agresorit. Kjo nuk është Shqipëria Europiane

08/10/2025 08:36

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar ashpër lidhur me mënyrën se si një pjesë e opinionit publik dhe mediave kanë trajtuar ngjarjen tragjike të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Spiropali dënon përpjekjet për të justifikuar aktin barbar dhe për të glorifikuar agresorin, ndërsa i bën thirrje për reflektim shoqërisë dhe institucioneve mbi mënyrën si trajtohen viktimat dhe etika në hapësirën publike e digjitale.

Ajo kërkon masa ligjore për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, duke theksuar se kjo nuk është Shqipëria Europiane për të cilën po negociojmë me Bashkimin Europian.

Reagimi:

Jashtëzakonisht tronditëse përpjekja e këtyre ditëve për të glorifikuar aktin barbar të vrasjes së gjyqtarit Kalaja përmes një serie publikimesh në media, pasuar nga një lum komentesh të neveritshme në adresë të viktimës.

Po aq indinjuese është edhe tentativa për të justifikuar vrasësin për veprimin ekstrem që mori një jetë njeriu dhe lëndoi dy të tjerë.

Urrejtja mbi viktimat dhe lartësimi i agresorëve duke shfrytëzuar lirinë për të shkruar e komentuar në hapësirën digjitale, nuk mund të jetë kurrsesi Shqipëria Europiane.

Ndërkohë që me BE-në po negociojmë për t’iu afruar përherë e më shumë standardeve të medias e etikës demokratike europiane, nevojitet një ndërgjegjësim dhe reflektim i plotë për masat e ardhshme ligjore që mbrojnë dinjitetin e individit, po aq sa edhe lirinë e shprehjes.

Publikimet e paverifikuara mbi protagonizmin vrastar dhe vala e komenteve baltosëse në rrjetet sociale mbi viktimën nuk mund të jetë kurrsesi fytyra e shoqërisë shqiptare.

Shqipëria e vërtetë është shumë më shumë se kaq; është vlerë, është respekt, është dinjitet!

Ngushëllimet më të ndjera familjarëve të gjyqtarit Kalaja dhe solidaritet me gjyqtarët, prokurorët dhe gjithë shërbëtorët e shtetit shqiptar!

Top Channel