
Një javë pas njoftimit se Kuvendi nuk është i konstituuar, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë aktgjykimin e plotë.
Lista Serbe ishte ankuar për zgjedhjen e Emilija Rexhepit si nënkryetare e parlamentit nga radhët e komuniteteve të tjera pakicë, raporton korrespondentja e Top Channel, Leonita Bajrami.
Për këtë “Gjykata konstaton se procedura për zgjedhjen e nënkryetares së Kuvendit nga komunitetet e tjera që nuk janë shumicë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën”.
Partia më e madhe serbe në Kosovë u ankua edhe për mos zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e këtij komuniteti.
Gjykata konstatoi se e drejta e propozimit të nënkryetarit nga komuniteti serb është e shumicës apo numrit më të madh të deputetëve nga radhët e këtij komuniteti.
Po ashtu, bën të qartë se kriteri i propozimit të kandidatit të njëjtë vetëm tre herë vlen edhe për pozitën e nënkryetarit.
Në rastin konkret thotë se kjo e drejtë është shfrytëzuar në seancat e kaluara edhe përmes propozimit të një kandidati nga radhët e Listës Serbe, por edhe me short.
Përkundër kësaj, Gjykata Kushtetuese thotë se deputetët kanë dështuar të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb dhe kësisoj nuk është konstituuar Kuvendi i Kosovës.
Në këtë aktgjykim, Kushtetuesja e njeh vazhdimin e punës së parlamentit në rast se nuk zgjidhet një nënkryetar pas ezaurimit të të gjitha mundësive, por në “Gjykata thekson se ky nuk është rasti në rrethanat konkrete sepse dështimi për konstituimin e Kuvendit në rastin e tanishëm i atribuohet mosvotimit të shumicës së deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, për kandidatët e propozuar, qoftë të propozuar drejtpërdrejt nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, respektivisht komunitetit Serb; ose përmes procedurës së shortit”.
Kështu, Gjykata Kushtetuese obligon deputetët që brenda 12 ditëve të mbetura të kthehen në sallë e të marrin pjesë në procesin për zgjedhjen e nënkryetarit serb.
“Gjykata thekson se deputetët e zgjedhur të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe votojnë për, kundër apo të abstenojnë për zgjedhjen e nënkryetarit të komunitetit Serb, në frymën e detyrimit për bashkëpunim konstruktiv në mirëbesim”, thuhet në aktgjykim.
Tetë kandidatë të komunitetit serbë nuk kanë marrë nga tre herë 61 votat që duhet për t’u zgjedhur nënkryetar, derisa dy prej tyre kanë refuzuar kandidaturën.
Megjithatë, “Gjykata konsideron se kriteri për votimin 3 (tri) herë për të njëjtin kandidat në vetvete nuk mund të bëhet pengesë për konstituimin e Kuvendit, nëse afati 30 (tridhjetë) ditor për konstituimin e Kuvendit nuk ka përfunduar dhe me kusht që të ketë vullnet të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit për ta konstituuar Kuvendin”.
Gjykata Kushtetuese ua rikujton deputetëve se përfaqësimi i komuniteteve që nuk janë shumicë në Kuvend përfshirë edhe në Kryesinë e Kuvendit është detyrim kushtetues.
Top Channel