Konferenca e Kryetarëve nis me debate, opozita kërkon që gjyqtari Astrit Kalaja të shpallet Dëshmor Atdheu: Nuk mjafton një minutë heshtje

08/10/2025 09:55

Konferenca e Kryetarëve ka nisur me debate këtë të mërkurë mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka kërkuar që nesër në seancë plenare të mbahet në mënyrë solemne 1 minutë heshtje në nder të gjykatësit Astrit Kalaja.

Ndërkohë, sekretari i Partisë së Lirisë, deputeti Tedi Blushi u ndal te vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, duke thënë: “Akti terrorist i ekzekutimit të gjyqtarit Astrit Kalaja, alarm kombëtar për sigurinë e jetës, kjo të jetë temë e diskutimeve. Kuvendi mos mjaftohet me një minutë heshtje, por të shndërrojë në temë debati sigurinë e jetës.

Krimi ka marre yrysh, shqiptarët më të pasigurt se kurrë. Sot çdo shqiptar ndihet i kërcënuar nga krimi i organizuar dhe krimi ordiner. Vrasja e gjyqtarit, krim shumë i rëndë që trondit ndërgjegjen kombëtare. Kuvendi të debatojë për realitetin tragjik ku ndodhet vendi, ku krimi sfidon pa frikë ligjin.

E turpshme që KLGJ bën publik paralajmërimet e qeverisë për sigurinë e gjyqtareve, vetëm pasi ndodhi vrasja e gjyqtarit”.

Gjatë Konferencës, opozita kërkoi qe institucionet shtetërore të nisin proceduat dhe të shpallin Dëshmor të Atdheut gjyqtarin e ndjerë Astrit Kalaja.

Top Channel