
Një 33-vjeçar, i dënuar në Shqipëri për tentativë vrasjeje me paramendim, ka jetuar për pesë vite i lirë në Mbretërinë e Bashkuar pasi hyri ilegalisht në vend dhe aplikoi për azil nën pretendimin se ishte viktimë e një gjakmarrjeje.
Siç bën me dije “Daily Mail”, të cilës i referohet Top Channel, Mikel Hoxha kishte hyrë në Britani në vitin 2018 në mënyrë të paligjshme brenda një kamioni. Pavarësisht se ishte në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare, ai arriti të qëndrojë në vend për vite me radhë, ndërkohë që vazhdonte procesin e azilit dhe apelimet për të shmangur kthimin në Shqipëri.
Ngjarja për të cilën Hoxha ishte në kërkim ndodhi më 6 qershor 2018 në qytetin e Gramshit, ku ai hapi zjarr ndaj një personi pas një sherri në një kafene. Viktima, Admir Haruni, u qëllua disa herë në këmbë.
Vetëm një ditë pas ngjarjes, autoritetet shqiptare përgjuan një bisedë telefonike ku babai i Hoxhës i thoshte një personi të tretë se “djali im qëlloi dikë në këmbë” dhe ishte në kërkim për “mbajtje pa leje të armëve dhe tentativë vrasjeje”.
Ai u arratis fillimisht në Maqedoninë e Veriut dhe më pas përmes Belgjikës hyri në Britani me ndihmën e kontrabandistëve. Më 8 gusht 2018, Hoxha aplikoi për azil në Britani, duke pretenduar se ishte viktimë e një gjakmarrjeje – një strategji që shumë kriminelë shqiptarë e kanë përdorur për të shmangur ekstradimin.
Në prill të vitit 2021, një gjykatë shqiptare e dënoi Hoxhën në mungesë me 17 vite burg, për tentativë vrasjeje me paramendim dhe mbajtje të paligjshme të armëve. Ai arriti ta apelojë vendimin përmes një avokati në Shqipëri, duke e ulur dënimin në 4 vite për “dëmtim të rëndë të qëllimshëm”.
Për pesë vite, Hoxha jetoi në Britani pa u zbuluar nga autoritetet, deri në shtator 2023, kur më në fund u arrestua në Cardiff, ku jetonte në një shtëpi me vlerë 170 mijë paundë. Në atë kohë, ai ndodhej në lirim me kusht nga imigracioni, ndërsa apelonte refuzimin e kërkesës për azil.
Ai është mbajtur në burgun e Wandsworth që nga arrestimi dhe po përpiqet të ndalojë ekstradimin përmes sistemit ligjor britanik, duke përdorur nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR) – të drejtën për jetën familjare – duke pretenduar se kthimi në Shqipëri do të dëmtonte partneren dhe dy fëmijët e tij të mitur, të lindur në vitet 2019 dhe 2022 në Britani.
Avokatët e tij gjithashtu kanë përdorur nenin 3 të ECHR, duke pretenduar se mund të përballet me kushte çnjerëzore në burgjet shqiptare, por kjo u refuzua nga gjykata britanike.
Gjatë seancës në Gjykatën e Magjistratëve në Westminster, gjyqtari Tan Ikram deklaroi se pretendimet për një gjakmarrje ishin “të pabesueshme” dhe se interesi publik për ekstradimin e tij është më i lartë sesa çdo pretendim për të drejtën e jetës familjare.
Ai vendosi që çështja t’i referohej Sekretarit të Shtetit për Ekstradim, por Hoxha ka të drejtën të kërkojë leje për apel.
Ndërkohë, zyra e Brendshme britanike ka refuzuar të komentojë për rastin konkret, duke iu përmbajtur politikës së saj për “moskomentim të rasteve individuale” – një qëndrim që është kritikuar nga organizata të ndryshme për mungesë transparence.
Top Channel