Lufta në Iran, Rama bisedë online me ambasadorët shqiptarë në Lindjen e Mesme: Me ekipet tuaja informoni në kohë reale

02/03/2026 21:45

Në Dubai dhe në vende të ndryshme të Emirateve të bashkuara Arabe ndodhen zyrtarisht rreth 1500 shqiptarë që punojnë dhe jetojnë atje.

Në kushtet e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, kryeministri Edi Rama zhvilloi një komunikim të posaçëm online me ambasadorët e Shqipërisë, duke kërkuar angazhim maksimal të rrjetit diplomatik për garantimin e sigurisë së shtetasve shqiptarë në vendet e prekura.

Gjatë bisedës online, Rama u kërkoi diplomatëve që të kenë kontakte të vazhdueshme me komunitetin shqiptar në këto zona dhe  regjistrimin e plotë të tyre pranë përfaqësive diplomatike për çdo kërkesë apo nevojë që mund të lindë si pasojë e zhvillimeve të fundit.

Gjatë bisedës online, Ambasadori i Shqipërisë në Bashkimin Europian, Ferit Hoxha, i propozuar nga kryeministri për postin e ministrit të jashtëm nënvizoi rëndësinë e mbajtjes së kontakteve të rregullta me shtetasit shqiptarë.

“E mira është që të mbajmë kontakte, të jenë të tërë të regjistruar, të keni mundësi të keni kontakt me ambasadën sepse në çdo orë ne do të jemi ata që mund t’i ndihmojmë ata dhe shërbimi publik shqiptar është jo vetëm në krye të detyrës, por është absolutisht në më të mirën e vetes për të ndihmuar shtetasit tanë”, u shpreh ai.

Rama deklaroi se koordinimi mes institucioneve dhe përfaqësive diplomatike do të sigurojë informim në kohë reale për çdo zhvillim.

“Për çdo gjë, me këtë ekip që keni të koordinuar, besoj se do të jeni të informuar në kohë reale”, tha Rama.

Një ditë më parë ambasadori i Shqipërisë në Emiratet e  Bashkuara Arabe, Ridi Kurtezi, deklaroi se nuk ka nevojë për panik dhe se nuk janë kushtet për të kërkuar evakuuim urgjent të shqiptarëve që jetojnë aty.

 

Top Channel