Vrasja e Artur Tushit në Kolumbi/ U ekzekutua me 11 plumba nga autori venezuelian, dyshohet për përplasje bandash

07/10/2025 16:04

Detajet e reja dalin në dritë për Artur Tushin, 44-vjeçarin shqiptar që u ekzekutua me 11 plumba nga një vrasës me pagesë pranë banesës së tij në Medelin, Kolumbi.

Autori i krimit, një 35-vjeçar venezuelian, u arrestua 19 kilometra larg vendit të ngjarjes. Policia kolumbiane njoftoi se vrasësi ishte paguar në dollarë, ç’ka ngre dyshime se krimi lidhet me përplasje kriminale në qytet.

Artur Tushi, i njohur në Shqipëri me nofkën Qoti, ishte me origjinë nga fshati Raboshtë në Lezhë. Në vitin 2017, gjatë kohës që jetonte dhe punonte në Itali, ai u rrëmbye në zonën mes Fushë-Milotit dhe fshatrave pranë rrugës kombëtare Milot–Burrel, ndërsa po udhëtonte me makinën e tij, e cila më pas u braktis në vendin e ngjarjes. Sipas Policisë Shqiptare, disa persona ndaluan automjetin e Tushit, i vendosën një qese në kokë dhe e çuan në një banesë ku e mbajtën peng.

Gjatë rrëmbimit, Tushit i vodhën 200,000 lekë. Hetimet zbuluan se ai nuk kishte precedentë penalë as në Shqipëri, as në Itali, megjithatë dyshohet se rrëmbimi lidhej me aktivitetet e tij jashtë vendit.

Pas hetimeve të para të kryera nga autoritetet kolumbiane në bashkëpunim me Interpol-in, u zbulua se Tushi kishte precedentë penalë në vende të ndryshme, përfshirë Ekuadorin dhe Spanjën. Ai ishte i përfshirë në çështje që përfshinin dhunë fizike dhe posedim droge.

Vrasja e Tushit ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer vëmendjen te rrjetet ndërkombëtare të trafikut të drogës në Amerikën Latine. Dyshohet se ai mund të ketë qenë i lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe të ketë vepruar si një narkotrafikant me lidhje evropiane.

Top Channel