LIVE/ Zbardhet vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në Apel. Autori futi armën pa shqetësim në sallë, punonjës i sigurisë “mbylli sytë”, xhaxhai e përkrahu

07/10/2025 11:41

Dje ka ndërruar jetë gjyqtari Astrit Kalaja i cili u qëllua me armë zjarri nga 30-vjeçari Elvis Shkambi brenda sallës së Gjykatës së Apelit, Tiranë.

11:00 Apeli bojkoton seancat gjyqësore pas vrasjes së Astrit Kalasë, prokurorët dhe avokatët e Gjykatës së Shkodrës refuzojnë të zhvillojnë seanca 

Në Gjykatën e Shkodrës nuk ka një vendim institucional për ndërprerjen e seancave gjyqësore, por me vendim personal gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët kanë vendosur të mos zhvillojnë seanca gjyqësore.

10:37 Ekzekutimi i gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës, Gjykata e Vlorës pezullon proceset gjyqësore për katër ditë

Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka pezulluar të gjitha proceset gjyqësore gjatë datës 7 deri më 10 tetor, sipas asaj që mëson gazetari i Top Channel, Mikel Marsi.

Vendimi është marrë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda sallës së Gjykatës së Apelit nga Elvis Shkambi.

10:56 Pamje ekskluzive nga Apeli/ Gazetarja Anila Hoxha në podiumin ku dha vendimin e fundit Astrit Kalaja, zbardh dinamikën e plotë

Gazetarja Anila Hoxha ishte sot në Gjykatën Apelit, brenda korridoreve që përshkoi për herë të fundit Gjyqtari Astrit Kalaja, i cili u drejtua për në sallën numër 3 ku u mbajt seanca gjyqësore ku ndodhi krimi i paprecedentë.

10:02 Vrasja me armë në Gjykatën e Apelit/ Babë e bir mbeten të plagosur, pritet të dalin sot nga spitali

Përveç gjyqtarit, mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, babë e bir, të cilët ishin palë në çështjen civile që po shqyrtohej.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe pritet të dalin sot nga spitali. Djali ka marrë një plumb në krah, i cili ka hyrë dhe dalë pa shkaktuar dëmtime të rënda, ndërsa i ati ka pësuar djegie sipërfaqësore nga goditja, por nuk është qëlluar drejtpërdrejt me armë.

09:31 Vrasja në Gjykatën e Apelit/ Ceremonia mortore e gjyqtarit Astrit Kalaja do të mbahet në Pallatin e Kongreseve, diskutohet për funeral me protokoll shtetëror

Trupi i gjyqtarit të ndjerë, Astrit Kalaja, i cili u vra brenda në sallën e Gjykatës së Apelit nga Elvis Shkambi, do të prehet në Shkodër.

Ceremonia mortore nga ana tjetër do të mbahet më 8 tetor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, teksa diskutohet se do të jetë një funeral me protokoll shtetëror.

09:20 Vrasja e gjyqtarit, policia zbardh dinamikën e ngjarjes: Detektorët pikasën armën, punonjësi i sigurisë qëndronte i ulur në karrige

Policia e Tiranës ka zbardhur në detaje ngjarjen tronditëse të ndodhur në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit. Hetimet paraprake zbulojnë se autori Elvis Shkambi kishte kaluar përmes detektorit i armatosur, i shoqëruar nga xhaxhai i tij, ndërsa punonjësi i sigurisë nuk reagoi, duke qëndruar i ulur në vendin e tij. Në lidhje me këtë ngjarje, janë arrestuar tre persona.

09:13 Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Policia zbardh dinamikën: Gjyqtari u qëllua sapo shpalli vendimin, tre të arrestuar

Zbardhet e plotë dinamika e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku u vra me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja.

Policia ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka arrestuar tret e persona të përfshirë në këtë ngjarje tronditëse.

08:50 FOTOLAJM/ Heshtje në drejtësi, Gjykata e Apelit bosh pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja

Pas vrasjes tronditëse të gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, një heshtje ka ‘mbuluar’ Gjykatën e Apelit në Tiranë.

Në fotot e siguruara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, shihet gjykata bosh.

08:23 Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja jehonë në mediat e huaja, shkrimi i CNN për ngjarjen e rëndë në sallën e gjyqit

Ngjarja e rëndë e ndodhur këtë të hënë në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje brenda sallës së gjyqit nga një person i përfshirë në procesin gjyqësor, ka marrë vëmendje edhe nga mediat ndërkombëtare.

CNN ka raportuar për ngjarjen e paprecedentë, duke theksuar se sulmi ndodhi në një vend që ka ndërmarrë prej vitesh reforma të thella në drejtësi, por që përballet ende me sfida të mëdha në funksionimin e sistemit.

00:03 Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, nesër pezullohen të gjitha gjyqet në Gjykatën e Apelit

Ditën e sotme do të pezullohen të gjitha gjyqet në Gjykatën e Apelit, konfirmojnë burimet e gazetares së Top Channel Anila Hoxha.

Do të hidhet shorti vetëm për 12 masa sigurie, pasi mbaron afati. Të 12 masat i kishte gjyqtari që u vra sot brenda sallës së gjyqit.

Burimet thonë se gjyqtari ishte në treshe së bashku me Gilda Hoxhën dhe Enkelejda Bajo.

00:13 “Do martoj vajzën, jam i lumtur”/ Zbulohet biseda e fundit e gjyqtarit Kalaja para se të vritej: Mezi pres…

Një gjyqar ka rrëfyer për gazetaren e Top Channel Anila Hoxha bisedën e fundit me Astrit Kalaja, para seancës që do të ishte e fundit për të.

“Martoj vajzën dhe jam i lumtur. Mezi e pres atë ditë”-ishin fjalët e gjyqtarit.

 

Top Channel