
Trajneri i Nottingham Forest, Ange Postecoglou, ka treguar vendosmërinë e tij për të bindur bordin dhe pronarin Evangelos Marinakis që të kenë besim te filozofia e tij, pavarësisht serisë zhgënjyese të rezultateve.
Australiani do të zhvillojë këtë javë takime vendimtare me drejtuesit e klubit për të diskutuar mbi të ardhmen e tij.
Humbja 2-0 ndaj Newcastle e të dielës zgjati serinë negative në shtatë ndeshje pa fitore që nga marrja e drejtimit të skuadrës muajin e kaluar, pas largimit të Nuno Espírito Santo, i cili kualifikoi skuadrën në kompeticionet europiane për herë të parë pas 30 vitesh.
Megjithatë, Postecoglou u shfaq sfidues dhe me humor përballë gazetarëve, duke theksuar se shenjat e progresit tashmë janë të dukshme.
“Po, është një kauzë e humbur”, tha ai me ironi. “Unë e shoh si një mundësi emocionuese. Duhet të jesh gati për betejën dhe vështirësitë. Nëse në këtë moshë, 60 vjeç, nuk do të kisha besim tek vetja dhe forcë për të luftuar, do të isha i marrë. Edhe kur isha fëmijë në shkollë, sfidoja ata që më rrihnin.”
Postecoglou gjithashtu ironizoi presionin e madh që ekziston mbi trajnerët në Premier League, ku thuajse gjithmonë njëri prej tyre shihet si “i rrezikuar”.
“E kuptoj që është pjesë e spektaklit të Premier League që një trajner të jetë gjithmonë në qendër të presionit. Nëse duan të më gjykojnë pas vetëm tre javësh e gjysmë, nuk kam çfarë të them. Por unë shoh që ne po ecim në drejtimin e duhur dhe rezultatet do të vijnë.”
Duke iu drejtuar gazetarëve mes batutash, ai tha: “Edhe ju ndoshta keni qenë një ‘kauzë e humbur’ në një moment, por prindërit nuk ju braktisën.”
Postecoglou pranoi se ndryshimi i stilit të lojës në Nottingham nuk është i lehtë, por kjo ishte diçka që ai e kishte parashikuar. “E dija që do të ishte një sfidë e madhe.
Nuk ka asgjë të keqe me sfidat, unë i dua ato. Alternativa do të ishte të qëndroja në shtëpi dhe të shikoja ndeshje, por unë nuk dua një gjë të tillë. Kështu që le të bëni humor rreth kësaj, nuk më intereson fare. Unë nuk dorëzohem.”
Trajneri australian theksoi edhe një herë se, pavarësisht presionit, është i bindur se Nottingham Forest do të arrijë përmirësime të dukshme me kalimin e kohës.
Top Channel