
Shqipëria do të luajë finalen e saj me Serbinë më 11 tetor në Leskovc, e vlefshme për Kualifikueset e Botërorit 2026, aty ku kuqezinjtë janë të detyruar të fitojnë në mënyrë për të mbajtur ëndrrën gjallë, ndërsa tre ditë më vonë do të presë në një miqësore në Tiranë ekipin e Jordanisë.
Mesfushori i Kombëtares, Qazim Laçi, foli në një konferencë për mediat në grumbullimin e parë të ekipit kuqezi për këto dy sfida, duke thënë se skuadra e di rëndësinë e sfidës me serbët, por lojtarët do të tregohen profesionistë dhe do të hyjnë në fushë vetëm për tre pikët.
“Do jetë një ndeshje shumë e vështirë. Është një ndeshje vendimtare. Siç tha dhe Juljani (Shehu), jemi profesionistë. Jemi mësuar me presionin, secili te skuadra e vetë. Objektivi është tre pikët, sepse e dimë sa e rëndësishme është për ëndrrën tonë në Botëror.
Kur je me Kombëtaren duhet të japësh diçka më shumë, është detyrim. Me ekipin Kombëtar kam dhënë maksimumin për të marrë fitoret. Kështu të vazhdojmë dhe të shpresojmë për një fitore në Serbi.
Do ketë shumë emocione kjo ndeshje, por ne si profesionistë duhet të jemi të qetë, të kemi përqendrim, të shohim detajet, sepse ato do të bëjnë diferencën dhe të fokusohemi të marrim tre pikët.
Ne e shohim gjithmonë me kë luajmë, pavarësisht kundërshtarit. Ndeshjen e parë kishim mundësi ta fitonim, pavarësisht se doli barazim. Ne nga ana jonë, duhet të jemi të përqendruar dhe të shohim çdo detaj. Do jetë një ndeshje e mbyllur. Ne do të futemi nga minuta e parë për të marrë tre pikët.
Statistikat ju a lë juve. Për ne do jetë pak ndryshe. Ne presim një ndeshje të fortë. E dimë që Serbia luan në shtëpinë e saj. Nga ana jonë, ne do përgatitemi për tre pikët, sepse do jenë vendimtare për ëndrrën tonë në Botëror”, u shpreh Laçi.
Top Channel