
Kryeministri Edi Rama, gjatë podcastit “Flasim”, u ndal te reagimi i familjes së kandidates për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, pas shpalljes që u bë në asamblenë e Partisë Socialiste.
Rama: A bën të të pyes: si e priti këtë asamblenë e fundit familja e vogël?
Manastirliu: Altea më tha: “Si ka mundësi që nuk të pyeti?” Emili më tha: “Po mirë, nuk ke çfarë t’i bësh; tani do e bësh edhe këtë gjë.” Ermali ishte, në fakt, i vetmi që, nuk e di pse – herët e tjera ka ndodhur – por kësaj radhe nuk më shkroi direkt dhe as nuk më komunikoi shpejt. Pastaj patëm një bisedë të gjatë, por është e gjatë.
Rama: Jo, jo, nuk dua të futem në detaje; thjesht doja një impresson, më shumë për të privilegjuar ata që po na ndjekin akoma – dhe nuk besoj se janë mërzitur, sepse thuhet “bisedë ekskluzive”, “intervistë ekskluzive” etj. Por unë, p.sh., 85% të gjërave që dëgjova këtu, si i dija as vetë. Ndërkohë, dua ta mbyll… Dakord, në rregull, pse s’të tha? Përgjigjja pse s’të tha: nuk ka njeri perfekt dhe ai ka defektet e veta. Por, përtej kësaj dhe përtej momentit të parë, ti vetë si e ndjen këtë barrë mbi supe?
Manastirliu: E para, Kryeministër, mua nuk më është dhënë rasti t’ju shpreh mirënjohjen për besimin. E shoh si një përgjegjësi shumë të madhe, një sfidë të përbashkët në atë që secili prej nesh, si qytetar, duhet të bëjë për vendin e vet dhe të japë për vendin e vet. Tirana është qyteti i 1 milion banorëve. Tirana është rritur; Tirana është sa sfida jonë, aq edhe krenaria jonë. Pikërisht se ky qytet na bën krenarë, na ka bërë krenarë, do na bëjë krenarë, mendoj se ia vlen çdo sakrificë për ta marrë përsipër. Dhe përgjegjësia që mua më është ngarkuar – për ta çuar përpara transformimin e Tiranës, për ta modernizuar – është një përgjegjësi që e mbaj mbi supe jo vetëm.
E mbaj me ju, me ekipin e qeverisë, sepse është një gjë që të duash që je vetëm në betejë, por është diçka tjetër të jesh në një ekip që transformon Shqipërinë dhe e çon në Bashkimin Europian. Sigurisht, unë jam thirrur në detyrë dhe kjo është një thirrje në detyrë për një mision historik; dhe nuk e shoh këtë detyrë thjesht si të radhës – e shoh si një përgjegjësi te e cila varet e ardhmja e qytetit, që nga përditshmëria e njerëzve: si ta bësh qytetin më të jetueshëm, si ta bësh qytetin më të gëzueshëm, si mund të ndërtojnë familjet kujtime. Dhe besoj se ajo që më bën ta dua punën time – të gjitha punët – është, besoj, një prej pikave të mia të dobëta, mund ta konsiderosh: që unë “dashurohem” me punën që bëj, pavarësisht çfarë detyre mbaj; pra, futem e tëra dhe përfshihem në punë.
Ua kam thënë dhe juve: për mua nuk ka rëndësi as pozicioni, as karrigia; nuk ka rëndësi fare ku jam në skuadër. Për mua ka rëndësi kontributi dhe ka rëndësi që secili, në njësinë e kohës që i është dhënë për të kontribuar, të bëjë më të mirën e vet, të japë më të mirën nga vetja. Skuadra ka rëndësi; suksesi është i skuadrës, nuk mund të jetë i njeriut. Patjetër, në një detyrë të caktuar ka dikush që udhëheq; është si një skuadër në sport – dhe unë nga sporti fillova të kuptoj edhe më shumë në detyrën që bëja: është fiks si në sport; ka kush mbron, ka kush sulmon, ka kush bën strategjinë, dhe secili duhet të jetë në pozicionin e vet për të bërë atë që i është dhënë për të bërë. Historia ime – s’e kisha menduar asnjëherë, tani që i rikthehem – nuk është një histori e parashkruar; është një histori besimi, patjetër nga ju që më keni njohur përmes punës, nga njerëzit me të cilët kam punuar në shumë sektorë, dhe mbi të gjitha nga qytetarët e Tiranës.
Rama: Tani dua të them dhe unë një gjë këtu. Je dëshmitare, në gjithë këtë rrugëtim të gjatë, që unë i analizoj shumë gjërat që kanë lidhje me vendimet; dhe kur vjen puna te ndarja e detyrave, ka dy kategori vendimesh lidhur me detyrat. Njëra është kategoria e vendimeve kur është shumë e rëndësishme se çfarë mendojnë njerëzit; dhe njëra është kategoria e vendimeve që ti nuk mund ta dish se çfarë mendojnë njerëzit, sepse duhet të marrësh përsipër risk lidhur me njerëz të rinj që ti nuk mund t’i pyesësh njerëzit:
“A mendoni ju që Ogerta Manastirliu është njeriu i duhur për QSUT?” Por ama, kur vjen puna te kandidatura për deputet, gjithnjë flas për atë pjesë të njerëzve që duhet të jenë “shalqi me provë”, jo për pjesën e më të rinjve – është shumë e thjeshtë, të paktën mua më është bërë shumë e thjeshtë, si nga eksperienca, edhe nga zhvillimi që kemi bërë me sondazhet dhe me anketimet; dhe ti e di shumë mirë që kemi bërë anketime të vazhdueshme dhe dimë çfarë mendojnë njerëzit për temat, për shqetësimet, edhe, në një farë mënyre, dimë edhe si t’i interpretojmë.
Dhe, në rastin konkret, në të gjitha anketimet dhe në të gjitha rrugët e testimit të opinionit, ti ishe kryetarja e bashkisë që shumica donte – me diferencë nga çdo lloj emri tjetër që kemi testuar – dhe kam dhe dëshmitarë për këtë. Kjo ishte arsyeja që unë s’kisha ç’të pyesja, edhe pse prapë do pyesja; por, domethënë, kjo ishte akoma më e thjeshtë. Besoj se Tirana do të ketë jo vetëm të parën grua kryetare bashkie në historinë e vet, por një kryetare bashkie që nuk do mbetet jashtë atij grupi njerëzish që, në këtë qytet, kanë bërë histori.
Top Channel