
KLSH ka publikuar raportin për Onkologjikun, teksa në një pjesë të saj raportohet për ndryshimin e datës reale të skadencës në sistem.
Një ilaç, me datë skandence në sistem 31.03.2027, por që në realitet rezultoi se skadon në 09.09.2026, pra nuk korrespondon me realitetin.
Në raport thuhet se kjo situatë paraqet risk të shtuar për kalimin e datës së skadencës dhe përdorimit të tyre tek pacientët.
“Nga verifikimet e kryera më datë 28.02.2025 në Farmacinë Qendrore dhe më datë 13.03.2025 në Blloqet Farmaceutike, në kuadër të kontrollit të inventarëve fizikë dhe krahasimit me të dhënat në sistem për barnat që përdoren në trajtimin e sëmundjeve tumorale, u konstatua se për barin “Doxorubicin” 50 mg (2mg/ml) – flakon, ndonëse sasia fizike rezultoi në përputhje me regjistrimet në sistem, data e skadencës e shënuar në sistem nuk përputhej me atë të verifikuar fizikisht. Në sistem figuroi data e skadencës 31.03.2027, ndërkohë që në barnat fizikisht të pranishme ishte e shënuar data 09.09.2026.
Kjo mospërputhje, për shkak të mosrespektimit të parimit FIFO, paraqet një menaxhim joeficent të barnave onkologjike, duke ndikuar drejtëpërdrejtë në procesin e planifikimit të furnizimeve. Gjithashtu kjo situatë paraqet risk të shtuar për kalimin e datës së skadencës pa u konsumuar duke riskuar mosmenaxhimin e duhur të fondeve publike dhe risk të përdorimit të tyre në pacientë. Për më tepër, një informacion i pasaktë në sistem mund të cënojë kapacitetin vendimmarrës të sektorëve klinikë që mbështeten në këto të dhëna për përgatitjen dhe administrimin e terapisë.
Rekomandimi: Drejtoria e Shërbimit Farmaceutik pranë QSUNT të marrë masa për forcimin e sistemit të kontrollit të brendshëm, me qëllim shkarkimin e barnave sipas parimit FIFO përmes një procedure të detajuar dhe të rregullt, për të siguruar menaxhimin eficient të barnave dhe shmangien e shkarkimit të barnave me datë skadence më të vonë.
Nga auditimi i kryer në Sektorin e Kapave në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, u konstatua se ky sektor disponon vetëm pajisje manuale dhe jo pajisje të specializuara dhe të automatizuara për përgatitjen, dozimin dhe përzierjen precize të barnave citostatike. Mungesa e automatizimit e bën procesin plotësisht të varur nga ndërhyrja manuale e personelit, çka rrit ndjeshëm mundësinë për devijime në sasi, kontaminim të mundshëm të përgatitjeve, apo gabime në përzierje që nuk janë lehtësisht të gjurmueshme dhe mund të sjellin mungesë të efikasitetit terapeutik. Për më tepër, nga informacioni i vendosur në dispozicion, rezulton se pajisjet teknike të sektorit nuk janë mirëmbajtur apo kalibruar që nga momenti i futjes së tyre në inventar, proces ky që do të garantonte funksionimin e tyre në mënyrë të saktë, të besueshme dhe brenda parametrave të paracaktuar teknikë.
Nga auditimi u konstatua gjithashtu, se mbi përgatitjet e dozave të barnave citostatike të prodhuara në sektor nuk kryhet asnjë lloj kontrolli fizik/kimik apo laboratorik, duke sjellë risk të shtuar që lidhet drejtpërdrejtë me sigurinë e shëndetit të pacientëve, për shkak të natyrës toksike dhe kritike të barnave citostatike, problematika këto që nxjerrin në pah mangësitë për realizimin nga ana e titullarit të detyrimeve që përcaktohen në Kapitullin 2 të Manualit të Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit për miratimin e aktiviteteve të kontrollit, të cilat garantojnë në një masë të arsyeshme, se risqet që janë identifikuar gjatë procesit të menaxhimit të riskut, janë pakësuar në një nivel të pranueshëm.
Gjetje nga auditimi: Nga testimet e kryera mbi barnat e kampionuara: Erlotinib, Carboplatin, Ifosfamide, Mesna, Trastuzumab Biosimilar ose Origjinator, Trasutuzumab Emtasine, Methotrexate, Daratumumab, Cisplatin, Etoposide, Vincristine Sulphate, Irinotecan Hydrochloride Trihydrate, Gemcitabine, Doxorubicin dhe Cetuximab, janë evidentuar raste me sasi të shkarkuar më të ulët se sasia e kërkuar nga Shërbimet pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Gjatë kryqëzimit të të dhënave tremujore të raporteve “FND Pacient”, të gjeneruara nga sistemi Pentaho, për periudhën 01.01.2022 – 31.03.2025, është krahasuar nëse kërkesat për secilin bar janë përmbushur, dhe në rastet kur nuk janë përmbushur, është verifikuar nëse ky bar ka qenë i disponueshëm në Bllokun Farmaceutik (BF) apo në Magazinën Qendrore (DMM). Nga raportet “FND – Pacientë: barna dhe pajisje të kërkuara dhe të dhëna”, të gjeneruara nga sistemi Pentaho, janë evidentuar vetëm rastet e mos përmbushjes së kërkesave, pra ato ku ka rezultuar mungesë në shpërndarjen e barit përkatës. Nga testimet rezultuan receta të dublikuara gjatë ditës, mungesa shënimesh të plota dhe të sakta, shkarkime të gabuara të barnave në pacientë të tjerë, mungesa barnash nisur nga raporti sasi e kërkuar-sasi e shkarkuar, kërkesa të përsëritura dhe të paplotësuara në më shumë se 1 herë për të njëjtin pacient, periudha me gjendje progresive në sistem barnash ndërkohë që inventari i datës rezulton zero (diferenca në sasi gjendje progresive – inventar sistemi), etj.
Bazuar në gjendjet zero të ditëve të cituara në tabelat në material, rezultoi se jo çdo pacient mund të marrë trajtim brenda së njëjtës ditë me pacientë të tjerë. Këto problematika të konstatuara paraqesin risk të shtuar në drejtim të disponibilitetit dhe menaxhimit të barnave. Mungesa e barnave e kombinuar me mangësitë në shpërndarje në shërbimet spitalore, siç evidentohet në të dhënat e periudhës 2022–2025, krijon një situatë me risk të lartë për sistemin shëndetësor dhe për pacientët që marrin trajtim në këto struktura.
Risku më i drejtpërdrejtë është ai klinik, pasi pacientët, veçanërisht ata me diagnoza ato onkologjike dhe hematologjike, përballen me vonesa ose ndërprerje të trajtimeve për shkak të mungesës së barnave thelbësore. Kjo ndikon negativisht në efektivitetin e terapive dhe rrit ndjeshëm mundësinë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Nga ana tjetër, procedurat e paplota të dokumentimit në sistemet SISP dhe Pentaho e bëjnë të vështirë gjurmueshmërinë e barnave, duke dobësuar kapacitetin e menaxhimit farmaceutik për të planifikuar me saktësi nevojat dhe furnizimin në kohë me barna dhe gjithashtu pamundëson ruajtjen e gjurmës audituese në ndjekjen e proceseve, bazuar edhe në përcaktimet e Manualit të Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit.
Rekomandimi: Drejtori i Përgjithshëm i QSUNT-së të marrë masa për ngritjen e një grupi pune për (i) vlerësimin e të gjitha rasteve të evidentuara me parregullsi, (ii) nxjerrjen e përgjegjësive për mangësitë e konstatuara si dhe (iii) forcimin e kontrollit të brendshëm përmes monitorimit të vijueshëm të procesit të kërkesës, shkarkimit dhe përdorimit të barnave në trajtimin e sëmundjeve tumorale. 6.2 Rekomandimi: Drejtori i Përgjithshëm i QSUNT-së të marrë masa për ngritjen e një grupi pune për hartimin dhe zbatimin e një plani trajnimesh për rritjen e kapacitetit të punonjësve të cilët janë përdorues të sistemit SISP dhe Pentaho, me qëllim shmangien e parregullsive në veprimet e kryera në sistem.
Gjetje nga auditimi: Nga testimet e kryera mbi barnat e kampionuara: Erlotinib, Carboplatin, Ifosfamide, Mesna, Trastuzumab Biosimilar ose Origjinator, Trastuzumab Emtasine, Methotrexate, Daratumumab, Cisplatin, Etoposide, Vincristine Sulphate, Irinotecan Hydrochloride Trihydrate, Gemcitabine dhe Doxorubicin, janë evidentuar raste të 154 periudhave me gjendje progresive në sistemin elektronik Pentaho, ndërkohë që inventari ka rezultuar zero (diferenca në sasi gjendje progresive – inventar sistemi). Këto diferenca, pavarësisht se janë argumentuar si artificiale nga QSUNT, posedojnë riskun e paraqitjes jo të drejtë të të dhënave për përdoruesit e sistemit.
Ndërsa, sa i takon barit Actinomycin D, nga verifikimet në sistem për periudhën 2022-2025, (verifikim i iniciuar me shkresën nr. 1540 prot., datë 16.12.2024), gjendja paraqitet 0 (zero) dhe nuk paraqiten kërkesa për këtë bar. Megjithatë, pavarësisht kësaj, në 5 prej recetave të analizuara në mënyrë analitike ku është kërkuar bari Mesna rezultoi të jetë kërkuar dhe bari Actinomycin D, i shkarkuar në 0 njësi pasi nuk ka patur gjendje. Përkatësisht kartelat: C109914, C096963 (3 receta), C092399. Evidentohet se edhe pse në këto receta ka patur kërkesë për barin, në përmbledhjen që gjeneron sistemi SISP (Pentaho), nuk paraqiten këto kërkesa, duke sjellë mospërputhje mes kërkesave analitike dhe sintetike në sistem.
Rekomandimi: Drejtoria e IT dhe Inxhinerisë Klinike pranë QSUNT të marrë masa për bashkëpunimin me Operatorin Ekonomik përgjegjës për ofrimin e shërbimit, duke e njoftuar për problematikat dhe bashkëpunimin për ofrimin e zgjidhjes në drejtim të mirëfunksionimit të sistemit dhe paraqitjes së drejtë të të dhënave”, thuhet në raport.
Top Channel