
Policia e Tiranës ka filluar një hetim ndaj përgjegjësit të Dhomës Kombëtare të Zejtarisë,
Agim Rrapushi, pas denoncimit nga Fiks Fare.
Në datën 30 shtator 2025, emisioni investigativ denoncoi me zë dhe figurë skemën sesi ky përgjegjës i kërkonte bashkëpunëtorit një shumë prej 110 mijë lekësh të rinj, me qëllim për t’i dhënë titullin“mjeshtër”. Pazaret bëheshin në ambientet e laboratorit të saldimit, brenda godinës së dhomës, ku Rrapushi kishte edhe “bashkëpunëtorë”.
Pas denoncimit të këtij rasti, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ka dalë me një njoftim zyrtar për shtyp. “Specialistët për hetimin e krimeve ekonomiko-financiare referuan materialet në Prokurori, ku pas konsultimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale ‘korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, për shtetasin A. Rr., 70 vjeç, pas në pamje filmike të transmetuara në një emisioni investigativ, shfaqet duke i premtuar një qytetari, dhënien e një certifikate profesionale, kundrejt pagesës”, thuhet në njoftim.
Fiksi denoncoi këto ryshfete, brenda Dhomës Kombëtare të Zejtarisë, dhomë e cila është themeluar në vitin 2017 dhe synonte rregullimin e profesioneve të lira në gjithë Shqipërinë. Një bashkëpunëtor i emisionit ka kërkuar që të ketë titullin “mjeshtër”, por të ketë këtë titull duhet që më parë të ketë marrë titullin ndihmës mjeshtër për saldim 3 vite më para. Përgjegjësi i Dhomës së Zejtarisë, Agim Rrapushi, i thotë bashkëpunëtorit se kundrejt një ryshfeti ai i siguron të gjitha dokumentet, vjetërsinë e punës për 5 vite. Madje i plotëson edhe fletën e provimit. E vesh me jelek dhe i bën foto “sikur ka bërë provim”.
Përgjegjësi i thotë se këto “ti bëj unë të gjitha”. “Ne do ta bëjmë shpejt e shpejt, do t’ia çojmë drejtorit në shtëpi (se është i sëmurë) dhe veprimet do t’i bëjmë në ministri” i thotë ai qytetarit, teksa i thotë se dava me ditë e ka, mund t’a marrë ditën e hënë apo të marrë certifikatën.
“Do të bëjmë një tjetër provim. Gjej një fletë bosh që ta plotësojmë dhe qytetari të bëj një foto (sikur po bën provim). Këtë fletën e provimit i plotësojmë ne të gjitha, po vetëm dua atë që vetëm ta filmosh” i thotë përgjegjësi një punonjëse. Në këtë bisedë, përgjegjësi i Dhomës Kombëtare të Zejtarisë i thotë se ka 182 zanate. “E do për murator, merre?!” e pyet ai bashkëpunëtorin. Madje, në një moment, Agimi e pyet se “sa paguan për të gjitha ti që ta marrësh këtë javë?”. Bashkëpunëtori i thotë se “s’kam me vete”, ndërkohë që Agimi vijon duke i thënë se nuk është vetëm në këtë punë.
“Të gjithë kanë pjesën e tyre. Të gjithë, të gjithë, të gjithë kanë pjesën e tyre. Mua radhën e parë më ngeli 100 euro nga të gjitha ato që bëra” i thotë ai. Më pas i bën me dije se do të bëjë provimin sot. Gjatë bisedës vjen punonjësja dhe i jep një fletë provimi. “Kjo është për saldim”, teksa i drejtohet qytetarit që të veshë një jelek dhe kapele.
Qytetari vesh jelekun dhe ulet në një bankë. Punonjësja i vendos para fletën e provimit dhe i bën foto. Më pas Agimi i thotë se “testimin me foto e bëmë”, teksa lënë takim pas disa ditësh për vlerën totale të titullit mjeshtër.
Pas disa ditësh, bashkëpunëtori e takon sërish në zyrë, në afërsi të shkollës Vasil Shanto, atje ku gjendet Qendra e Formimit Profesional Publik Nr.4, Zyra e Punës Tiranë dhe Dhoma Kombëtare e Zejtarisë. Përgjegjësi i Dhomës Agim Rrapushi i thotë bashkëpunëtorit se tani janë mbyllur të gjitha, dhe e gjitha shkon në 110 mijë lekë.
Bashkëpunëtori e pyet se 1 milionë e 100 i do të gjitha në dorë. “Po merri njëherë, po qysh në këmbë” i përgjigjet ai.
Top Channel