
Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e anëtarëve të grupit kriminal të përfshirë në grabitjen e 4.6 milionë eurove në aeroportin e Rinasit.
Top Channel mëson se është lënë në fuqi vendimi i Gjykatës së Apelit të GJKKO, me 122 vite burg në total për të shtatë anëtarët.
Si ndodhi grabitja e Rinasit?
Ishte data 9 prill e vitit 2019, ku në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, vodhën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje, Admir Murataj.
Vëllezërit Klement dhe Eldi Çala janë arrestuar më 19 mars, vetëm 1 vit pas grabitjes spektakolare të aeroportit të Rinasit. Për kapjen e Klement Çalës policia vuri 10 mijë euro shpërblim për këdo që jepte informacion për të. Atyre iu sekuestrua edhe pasuria, apartamente e trualle.
Ata qëndrojnë të mbyllur prej pesë muajsh në 41 biss, ndërsa në muajin gusht të këtij vitit prokuroria i dorëzoi dy vëllezërit si të pandehur në gjykatën e kryeqytetit, si të akuzuar për futjen e sendeve të ndaluara, telefona celularë.
Top Channel