
Presidenti Bajram Begaj ka hedhur sot firmën mbi dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në 9 nëntor në Tiranë dhe pesë bashki të tjera.
Vakanca në këto bashki është krijuar për shkak se tre kryebashkiakë në Berat, Mat, dhe Tepelenë kanë marrë mandatin e deputetit, kryebashkiaku i Vlorës ka dhënë dorëheqjen, ai i Cërrikut është emëruar ministër, ndërsa i Tiranës, është shkarkuar nga detyra për shkak se nuk është paraqitur në punë për më shumë se 90 ditë.
Në një njoftim të Presidencës thuhet se “Vakancat në bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik janë krijuar për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të bashkive, kurse vakanca në Bashkinë Tiranë është krijuar për shkak të shkarkimit të kryetarit të bashkisë nga Këshilli i Ministrave, pas propozimit nga Këshilli Bashkiak Tiranë, i cili me votën e këshilltarëve të shumicës dhe të pakicës (50 vota pro dhe vetëm 1 kundër) kërkoi që t’i hapet rruga zgjedhjeve të parakohshme për kryetar bashkie në Tiranë”.
Dy ditë më parë, kryeministria njoftoi Presidencën përmes një letre të Sekretarit të Përgjithshëm për krijimin e vakancës në gjashtë bashki, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të pjesshme lokale.
Top Channel