
30 shtatori shënon skadimin e afatit të masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila që nga data 5 shtator ka pezulluar të gjitha veprimet dhe vendimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke përfshirë edhe procedurat për formimin e Qeverisë.
Një masë e tillë u mor pas ankesës së paraqitur nga Lista Serbe, e cila kontestoi mënyrën e zhvillimit të seancës konstituive të Kuvendit, veçanërisht për faktin që Kuvendi u shpall i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Lista Serbe e cilësoi këtë si shkelje të procedurave kushtetuese, ndërsa kreu i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli konstituimin e Kuvendit si të plotë, pavarësisht mungesës së votimit për përfaqësuesin serb në kryesi.
Megjithatë, me afatin që po shkon drejt përfundimit, mbetet e paqartë se cilat do të jenë hapat pasues nga institucionet vendore, shkruajnë mediat në Kosovë. Dimal Basha vazhdon të investojë se Kuvendi tashmë është konstituuar.
Ndërsa presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se me të skaduar afati i masës së Kushtetueses, ajo do të ftojë partinë fituese të zgjedhjeve për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë.
Vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka qenë shumë kritik ndaj këtij vendimi të Kushtetueses. Ai e ka konsideruar masën si një ndërhyrje të panevojshme që, sipas tij, i ka bllokuar për 25 ditë të gjithë 120 deputetët e Kuvendit, duke i detyruar të “vegjetojnë”.
Sakaq, nuk është bërë ende publik vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, çka shton pasigurinë. Nëse gjykata, sipas shtypit në Kosovë, do të vendosë që Kuvendi nuk ishte konstituuar në përputhje me Kushtetutën, atëherë do të kërkohen hapa të rinj proceduralë që mund ta shtyjnë edhe më tej formimin e qeverisë së re.
Top Channel