
Një episod i papritur ka ndodhur mbrëmjen e premierës së operës “La Traviata” në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku sopranoja e njohur Eva Golemi është rrëzuar në skenën finale të shfaqjes.
Rënia ndodhi në momentin dramatik të skenës ku personazhi i Violetës ndërron jetë në duart e Alfredos. Publiku fillimisht e mori si pjesë të interpretimit, por mosreagimi i menjëhershëm nga tenori në skenë ngriti dyshime mbi gjendjen e sopranos.
Menjëherë pas incidentit, stafi i teatrit thirri ambulancën për të siguruar ndihmë mjekësore, duke shmangur rrezikun për ndonjë dëmtim të mundshëm fizik. Eva Golemi u dërgua në spital për ekzaminime të detajuara.
Sikurse raporton gazetarja e Top Channel, Sara Hila, mjekët i kanë sugjeruar sopranos të qetësohet dhe për pasojë, ajo do të mungojë në shfaqjen e së hënës në mbrëmje dhe roli i Violotës do të interpretohet nga një soprano tjetër. Eva Golemi është në gjendje të mirë shëndetësore, por do të marrë kohën e nevojshme për t’u rikuperuar plotësisht e për t’u rikthyer më pas në skenë.
“La Traviata” është një nga operat më të interpretuara në botë dhe historia e saj bazohet në një personazh real.
Violetta Valéry është frymëzuar nga Marie Duplessis, kurtizane franceze dhe dashuria e madhe e shkrimtarit Alexandre Dumas i riu, i cili shkroi romanin e famshëm La Dame aux camélias.
Top Channel