Foto/ Selena Gomez dhe Benny Blanco i japin fund beqarisë, çifti kurorëzon dashurinë me një dasmë private në Santa Barbara

28/09/2025 11:29

Selena Gomez dhe producenti muzikor Benny Blanco janë tashmë burrë e grua!

Çifti i njohur i showbiz-it kurorëzoi dashurinë e tyre më 27 shtator 2025 në një ceremoni private në një rezidencë private në Santa Barbara, të rrethuar nga miqtë më të afërt dhe yje të njohur të Hollywood-it.

Nëpërmjet disa fotografive të publikuara në Instagram, Selena konfirmoi lajmin e martesës dhe ndau pamjet e para nga dasma, ku dukej mahnitëse me një fustan të bardhë sateni nga Ralph Lauren. Në përshkrimin e postimit, këngëtarja shkroi thjesht: “9.27.25”, duke shënuar përjetësisht ditën e tyre të veçantë.

Në një nga fotot e publikuara, Benny shihet duke mbështetur kokën në prehrin e Selenës, ndërsa një tjetër e tregon çiftin duke ecur dorë për dore, të buzëqeshur e të lumtur. Benny, i njohur për stilin e tij të lirshëm, ishte zbathur në ambientin e gjelbër të pasurive 70 hektarëshe ku u mbajt ceremonia.

Pas publikimit të lajmit, komentet e miqve të famshëm nuk vonuan. Aktorja Lily Collins shkroi: “Të gjitha dashuritë për ju të dy!”; Gordon Ramsay komentoi: “Jam shumë i lumtur për ju. Urime!”; ndërsa Camila Cabello tha: “Dashuria ju shkon shumë.”

Mes të ftuarve të njohur ishin edhe mikja e ngushtë e Selenës, Taylor Swift, si dhe aktorët e serialit “Only Murders in the Building” – Paul Rudd, Steve Martin dhe Martin Short.

Selena dhe Benny konfirmuan fejesën në dhjetor 2024, pas spekulimeve të shumta që nisën kur këngëtarja shfaqi unazën në tapetin e kuq të Emmy Awards. Propozimi erdhi rreth një vit pas fillimit të lidhjes së tyre, në qershor 2023.

Në gusht, fansat dyshuan se dasma ishte afër, kur Selena publikoi foto nga festa e beqarisë në një plazh, me bikini të bardha dhe një vello të shkurtër.

Në mars 2025, çifti u zhvendos në një vilë luksoze në Beverly Hills, pas një kredie prej 20 milionë dollarësh për blerjen e shtëpisë me vlerë 35 milionë dollarë. Po atë muaj, ata publikuan albumin e tyre të parë të përbashkët, “I Said I Love You First.”

Selena Gomez, e cila ka pasur lidhje të bujshme me artistë si Justin Bieber, The Weeknd, Zedd dhe Nick Jonas, ka folur shpesh për natyrën e saj emocionale dhe dashurinë e madhe që jep. Nga ana tjetër, Benny ka treguar se është përpjekur të fitojë besimin e saj, duke e mbështetur pas zhgënjimeve të mëparshme.

Në një intervistë të përbashkët në podcastin On Purpose të Jay Shetty, Benny pranoi se kishte frikë se do ta sabotonte vetë marrëdhënien në fillim, por më pas shtoi: “Ndoshta ishte pikërisht ajo që i hoqi dyshimet dhe e lejoi të më besojë.”

FOTO GALERI
7/9

Top Channel