
Që një familje prej katër anëtarësh të mos jetojë në varfëri, duhet të sigurohet paga e jetesës. E përllogaritur nga ekspertë të huaj, kjo pagë duhet të jetë 3 herë më e madhe se pagesa e minimumit jetik.
Gratë, kryesisht ato që punojnë në sektorin e prodhimit të këpucëve apo veshjeve, shumica të cilave dolën të mbuluara në fytyrë nga frika se humbin vendin e punës, kërkojnë rritje të pagave pasi, siç thonë, edhe pse punojnë fort thjesht mbijetojnë me pagën që marrin.
“Pagat janë shumë të ulëta, pa llogaritur kushtet e punës, orët e zgjatura”, shprehet një qytetare.
Paga e jetesës është një drejtë universale që duhet të ekzistojë për të gjithë punëtorët, pavarësisht statusit dhe vendit të punës.
“Paga është për ushqim, për veshje, për shkollim, për kujdes shëndetësor, por është edhe për një pushim njëherë në vit”, thotë Esmeralda Hoxha.
Ekspertë të huaj, bazuar në pagën minimale në Shqipëri, kanë bërë një përllogaritje, por rritja e çmimeve bën që kjo pagesë të duhet të jetë më e lartë.
“Qeveritë, si në vendet e konsumit ashtu edhe në vendet prodhuese në Evropë, si dhe BE-ja, kanë për detyrë të mbrojnë të drejtën njerëzore të punëtorëve për një pagë jetese dhe të implementojnë paga minimale ligjore të cilat luftojnë varfërinë dhe nuk krijojnë një fuqi punëtore të varfër dhe të përjashtuar nga shoqëria”, përfundon ajo.
Top Channel