Të huajt, 760 milionë euro investime/ Pronat në plan të parë, dominojnë italianët dhe turqit

26/09/2025 19:50

Jo vetëm për turizëm, Shqipëria është kthyer në një magnet për të huajt edhe për të investuar.

Rreth 760 milionë euro kanë investuar në 6 mujorin e parë të vitit të huajt në sektorë të ndryshëm të vendit nga 751 milionë euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Më shumë kanë investuar italianët, turqit, austriakët e holandezët. Ndërsa interesi në rritje është dhe nga Kosova, Zvicra Suedia e SHBA.

Sektori me tërheqjen më të shumtë të investimeve vijojnë të qëndrojnë pronat me 149 milionë euro vetëm në tremujorin e dytë të vitit. Pasuar nga aktivitete financiare dhe të sigurimit, industria nxjerrëse, tregtia me shumicë etj. Ndërsa të huajt janë pothuajse aspak të interesuar për të investuar në sektorë si bujqësia, pyjet peshkimi, arsimi etj.

Drejtuar investitorëve të huaj, kryeministri Rama bëri një thirrje për më shumë investime në Shqipëri në sektorin e pasurive të paluajtshme, por për ekspertët e ekonomisë si fillim duhet të ketë një politikë të përgatitur për orientimin e tyre në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të Stabilitetit Financiar theksoi se rreth 15% e banesave të shitura në Shqipëri janë blerë nga të huajt ndonëse në rënie me 6 mujorin e parë 2024, përsëri sipas Bankës Qendrore kjo sasi qëndron e lartë në 5 vitet e fundit.

Top Channel