Tragjedi në futbollin anglez, ndërron jetë ish-talenti i akademisë së Arsenalit pas një dëmtimi të rëndë në kokë

25/09/2025 20:39

Bota e futbollit është në zi pas lajmit tragjik për ndarjen nga jeta të futbollistit të ri anglez Billy Vigar, i cili humbi jetën në moshën vetëm 21-vjeçare, pas një dëmtimi të rëndë në kokë të pësuar gjatë një ndeshjeje në Angli.

Ish-sulmuesi i akademisë së Arsenalit u përplas me një mur betoni gjatë përpjekjes për të mbajtur topin në lojë në një ndeshje të zhvilluar të shtunën në stadiumin e Wingate & Finchley, në kuadër të Isthmian League Premier Division.

Si pasojë e goditjes së fortë në kokë, Vigar u dërgua me urgjencë në spital dhe u vendos në komë të induktuar, shkruan “Daily Mail”.

Familja e tij konfirmoi me dhimbje lajmin e trishtë: “Pas një dëmtimi të rëndë në tru të shtunën, Billy u vendos në koma të induktuar. Të martën iu nënshtrua një operacioni për të ndihmuar në rikuperimin e mundshëm, por për fat të keq, dëmtimi ishte shumë i rëndë. Ai ndërroi jetë mëngjesin e së enjtes. Jemi të shkatërruar, por të prekur nga dashuria që ka marrë Billy nga bota e sportit.”

Klubi i Chichester City, ku Vigar aktivizohej këtë sezon, anuloi ndeshjen e fundjavës dhe publikoi një mesazh ngushëllimi: “Me shumë trishtim konfirmojmë ndarjen nga jeta të Billy Vigar. Ai ishte një djalë i dashur dhe një pjesë e rëndësishme e klubit tonë. Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjen dhe miqtë e tij.”

Vigar ishte pjesë e ekipit U21 të Arsenalit deri në vitin e kaluar dhe gjatë karrierës së tij të shkurtër ishte huazuar edhe te Derby County dhe Eastbourne Borough, ku la përshtypje shumë pozitive.

Ngjarja ka tronditur komunitetin e futbollit anglez. Mes shumë mesazheve prekëse, Federata Angleze e Futbollit (FA) shkroi: “Jemi të shkatërruar nga lajmi për vdekjen e Billy Vigar. Ngushëllimet tona më të sinqerta shkojnë për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën.”

Derby County, një prej ekipeve ku ai aktivizohej më parë, deklaroi: “Billy ishte pjesë e ekipit tonë U21 gjatë sezonit 2022/23. Humbja e tij është një tronditje për të gjithë në klub. Mendimet tona janë me të afërmit e tij.”

Eastbourne Borough shtoi: “Billy ishte një djalë i jashtëzakonshëm, brenda dhe jashtë fushës. Të gjithë jemi të tronditur.”

Në rrjetet sociale janë shtuar thirrjet për një minutë heshtje në ndeshjet e fundjavës në të gjitha ligat jo-profesionale në Angli, në nder të Vigar.

Top Channel