Pesë vite nga aksidenti tragjik që për pak i mori jetën, piloti i cili doli i gjallë nga flakët gati për rikthimin e bujshëm në Formula 1

25/09/2025 17:05

Pas gati pesë vitesh nga aksidenti tronditës në Çmimin e Madh të Bahreinit, ish-piloti i Formula 1, Romain Grosjean, do të rikthehet të ulet në sediljen e një makine F1.

Grosjean përjetoi një nga aksidentet më dramatike në historinë moderne të sportit në sezonin 2020, kur makina e tij përplaset me murin me një shpejtësi prej 140 mph, duke pësuar një impakt prej 67G dhe shpërthyer në flakë. Falë përparimeve të mëdha në sigurinë e F1 – përfshirë sistemin halo dhe veshjet kundër flakës – ai arriti të dalë nga makina pas 27 sekondash, duke pësuar vetëm djegie në duar.

Pas aksidentit, francezi mungoi në dy garat e fundit të sezonit me ekipin Haas, duke përmbyllur para kohe pesë vite bashkëpunim me skuadrën amerikane. Më vonë, ai u rikthye në botën e garave përmes IndyCar dhe garave të qëndrueshmërisë, përfshirë edhe 24 Orët e Le Mans në vitin 2024.

Megjithëse iu premtua një test nga Mercedes nga drejtuesi i ekipit Toto Wolff, ai nuk u realizua kurrë. Por tashmë, në shtator të vitit 2025, është konfirmuar që 39-vjeçari do të ngasë sërish një makinë F1 në një test me ish-ekipin e tij Haas në pistën e Mugellos, Itali.

Ky test bëhet në kuadër të programit “Testing of Previous Cars” (TPC) të ekipit Haas dhe do të zhvillohet me modelin VF-23, i cili është përdorur nga Kevin Magnussen dhe Nico Hulkenberg në sezonin 2023.

Grosjean do të bashkohet edhe me drejtuesin aktual të Haas, Ayao Komatsu – i cili dikur ishte inxhinieri i tij i garës gjatë kohës që garonin për Lotus dhe më pas Haas.

“Jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj Gene Haas dhe Ayao Komatsu për këtë mundësi. Të rikthehem pas timonit të një makine F1 pas kaq vitesh është një ndjenjë e veçantë. Mezi pres të takoj të gjithë dhe të kujtojmë kohët e vjetra,” – u shpreh Grosjean.

Ai gjithashtu konfirmoi se do të përdorë një helmetë me dizajn emocional, të krijuar nga vajza e tij për garën e fundit që nuk e zhvilloi kurrë në Abu Dhabi në vitin 2020.

“Fëmijët e mi kishin dizajnuar helmetën për garën time të fundit në Abu Dhabi. Më në fund do të kem mundësinë ta përdor atë në një makinë F1 këtë të premte,” – shtoi ai.

Grosjean ka marrë pjesë edhe në Çmimin e Madh të Toskanës në Mugello gjatë vitit 2020, por u përfshi në një aksident në xhiron e parë. Ai përfundoi atë garë në vendin e 12-të, ndërkohë që tetë pilotë të tjerë u tërhoqën.

Top Channel