Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar dy ditë më parë akuzën si një i dyshuar për ‘shkelje të barazisë në tendera’ kryebashkiakut të Ersekës, Erion Isai.

Procedimi penal lidhet me një tender me vlerë gati 3 milionë lekë, punimet e kryera dhe mbikëqyrjen  në ujësjellësin e Kozelit.

Nga hetimet po ashtu ka rezultuar se para dy vitesh, tetor 2023, Bashkia e Kolonjës zhvilloi një tender me vlerë 202 mijë euro për rindërtimin e digës së Rezervuarit të Gjonçit dhe ndërtimin e pritave malore në fshatrat e Bashkisë Kolonjë. Fituesi i tenderit u shpall një muaj më vonë, në 14 nëntor. Ai ishte bashkimi i kompanive mes Rehovarit dhe B93 II.

Kontrata u lidh në 6 dhjetor të atij viti, ku parashikohej se afati për kryerjen e punimeve do të ishte 4 muaj. Tre javë pas lidhjes së kontratës, bashkia kreu pagesën e plotë prej 210 mijë euro kompanisë Rehovari për tenderin e rindërtimit të digës.

Rehovari shpk është një kompani e themeluar në vitin 2017 nga Spiro Zoto. Një javë para zhvillimit të tenderit për rezervuarin e Gjonçit, kompania ndërroi pronar.

Spiro Zoto ja dhuroi 100 për qind të aksioneve shtetasit Euljon Hasko. Sipas një kallëzimi të bërë në SPAK këto ndryshime ishin të lidhura me një fakt tjetër. Spiro Zoto ishte emëruar nga Isai si administrator i njësisë Qendër Kolonjë. Euljon Hasko ishte kryeplaku i Starjes në Kolonjë.

Së bashku me Isain, u është komunikuar e njëjta vepër edhe 6 punonjësve të njësisë së prokurimeve në këtë bashki.

Erjon Isai ai ishte në SPAK  të martën ku dhe i është njoftuat mbyllja e hetimeve dhe akuza nga një hetuese e BKH..

Isai i thirrur me herët dhe i pyetur nga kjo prokurori e ka hedhur poshtë akuzën duke insistuar se nuk ka kryer vepër as ai dhe as vartësit e prokurimeve dhe se investimi është kryer me vlerë favorizues për shtetin.

Top Channel