Lista e kandidatëve për vendin vakant të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, thirret Mbledhja e Posaçme

25/09/2025 11:00

Gjykata e Lartë ka thirrur një Mbledhje të Posaçme më 30 shtator 2025, ora 09:00, për të zgjedhur gjyqtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese, pas dorëzimit të raportit dhe listës së renditjes nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED).

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka depozituar më 23 shtator 2025 pranë Gjykatës së Lartë listën përfundimtare të kandidatëve dhe raportin shoqërues për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga kjo gjykatë më 11 dhjetor 2024.

Në zbatim të kuadrit ligjor dhe rregullores përkatëse, Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, ka firmosur vendimin për thirrjen e Mbledhjes së Posaçme të gjyqtarëve, e cila do të zhvillohet në ambientet e gjykatës.

Mbledhja synon zgjedhjen e një anëtari të ri të Gjykatës Kushtetuese, institucion kyç në sistemin e drejtësisë, përgjegjës për garantimin e rendit kushtetues në vend. Procesi konsiderohet me rëndësi të veçantë për funksionimin e balancuar të pushteteve dhe konsolidimin e reformës në drejtësi.

Top Channel