
Një grup prej 20 ligjvënësish amerikanë, përfshirë katër me prejardhje greke, kanë shprehur shqetësime serioze në lidhje me një shitje të mundshme të avionëve luftarakë F-16 dhe F-35 në Turqi.
Në një letër drejtuar Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, dhe Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, ligjvënësit kërkojnë që administrata e Donald Trump të respektojë kornizën ligjore amerikane përpara se të ndërmarrë hapa të tillë, të cilët, sipas tyre, shkelin autoritetin e Kongresit dhe ligjet në fuqi.
“Shitja e avionëve pa miratimin e Kongresit do të përbënte një shkelje të qartë të ligjit amerikan dhe do të minonte rolin kushtetues të Kongresit në mbikëqyrjen e marrëveshjeve ushtarake”, thuhet në letrën e tyre.
Ligjvënësit theksojnë gjithashtu se Turqia zotëron sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400, një teknologji që përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Sipas tyre, operimi paralel i këtij sistemi me avionët amerikanë krijon rrezikun që inteligjenca ruse të ketë qasje në të dhëna strategjike dhe teknologji të ndjeshme të SHBA-së.
Në vitin 2019, Turqia u përjashtua nga programi F-35 pikërisht për shkak të blerjes së sistemit rus S-400, vendim që shkeli Aktin për Kundërshtimin e Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA) dhe çoi në vendosjen e sanksioneve ndaj Ankarasë.
Ligjvënësit i kërkojnë administratës që të mos vazhdojë me këtë marrëveshje derisa të përmbushen të gjitha detyrimet ligjore dhe të garantohet se siguria kombëtare e SHBA-së nuk vihet në rrezik.
Top Channel