
Policia e Durrësit ka reaguar zyrtarisht për vrasjen e ndodhur mbrëmjen e shkuar në lagjen nr.12.
Policia thotë se rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në katin e katërt të një pallati ishte gjetur pa shenja jete, me shenja dhune dhe plagë të shkaktuara me mjete të mprehta prerëse, Marko Beqiri alias Valbon Beqiri 51 vjeç.
Nga veprimet intensive hetimore të kryera, rezultoi se vrasja e këtij shtetasi ka ndodhur rreth orës 10:00 të datës 24.09.2025.
Në rezultoi se në banesën e 51-vjeçarit kishte hyrë shtetasi Teilor Tivari, 24 vjeç, banues në lagjen nr. 7, Durrës, me qëllim blerjen e lëndës narkotike.
Gjatë komunikimit dhe qëndrimit, 24-vjeçari dyshohet se, për motive të dobëta, është konfliktuar me 51-vjeçarin dhe gjatë konfliktit, i riu e ka goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u ndihmuar nga shtetasi Xh. D., 27 vjeç, i cili, me një mjet taksi, e ka dërguar fillimisht në banesën e tij.
Nga tërësia e veprimeve hetimore janë siguruar prova ligjore që vërtetojnë autorësinë e të dyshuarve në kryerjen e kësaj vepre penale. Në vijim të veprimeve, pas ndjekjes, u bë e mundur kapja e të dyshuarve dhe arrestimi në flagrancë i tyre.
Policia thotë se në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Top Channel