Shkarkimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka gjetur kundërshtimin e disa këshilltarëve socialistë por dhe nga opozita.

Katër këshilltarë socialistë nuk votuan shkarkimin e kryebashkiakut Veliajt.

Këshilltarët socialistë Alfred Muharremi dhe Aldo Merkoci nuk votuan, ndërsa Joleza Koka dhe Gaz Paja nuk morën pjesë fare në Këshill. Ndërsa këshilltari i Bindjes Demokratike, Fabian Topollaj, votoi kundër vendimit.

Në fjalën e tij, këshilltari socialist Alfred Muharremi vlerësoi punën e Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, ndërsa Aldo Merkoci u shpreh më ashpër, duke theksuar se me këtë procedurë po cenohet autonomia vendore dhe po tjetërsohet vullneti i qytetarëve.

Edhe këshilltari i djathtë Fabian Topollaj e cilësoi nismën si një shkelje të plotë, duke kujtuar se nuk është Këshilli Bashkiak ai që shkarkon një kryebashkiak, por Këshilli i Ministrave, vetëm në rastet e parashikuara nga ligji.

Ai shtoi se argumentet për shkarkimin e Veliajt, me pretendimin se ka tre muaj që mungon në punë, nuk qëndrojnë, pasi mungesa nuk vjen nga dëshira e tij, por nga pamundësia objektive.

Ai deklaroi se Veliaj prezumohet i pafajshëm sa kohë që nuk është dënuar nga gjykata.

 

Top Channel