
Këshilltarët socialistë kanë bërë gati projekt-vendimin për shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranës.
Kërkesa e firmosur nga grupi i këshilltarëve të mazhorancës vendos si motiv për shkarkimin nenin 62 të ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave kur: propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”.
Veliaj, i cili është i arrestuar që prej muajit shkurt, kërkoi të ishte i pranishëm në mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës, ku do të votohet për shkarkimin e tij.
Në letrën adresuar Erion Veliajt, Këshilli reagoi se në rast të pamundësisë për të qenë prezent në mbledhje, atëherë observacionet t’i përcjellë me shkrim pranë këshillit bashkiak.
Veliaj ka sqaruar në kërkesën e tij se mungesa për më shumë se tre muaj, nuk është si pasojë e vullnetit të tij, por si rrjedhojë e një mase sigurie, të cilën do ta kundërshtojë në të gjitha instancat gjyqësore. Ndaj dhe kërkon që të dëgjohet në mbledhje përpara se këshillit të votojë për shkarkimin e tij.
Vendimi do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, por pritet të kundërshtohet nga Veliaj por sakaq PS e ka zgjedhur kandidaten socialiste për të garuar për bashkinë e Tiranës. Ajo është Ogerta Manastirlu, emri i së cilës u bë i dituar gjatë asamblesë së PS më 11 shtator.
Top Channel