Komisioni i Ligjeve në Bashki kalon në seancë shkarkimin e Veliajt. PD-PS bashkojnë votat, vetëm një këshilltar nuk mori pjesë në votim

23/09/2025 12:50

Këshilltarët demokratë dhe socialistë të komisionit të Ligjeve në Këshillin Bashkiak të Tiranës votuan pro futjes në rendin e ditës të pr.vendimit për shkarkimin e kryebashkiakut në detyrë Erion Veliaj.

Mbledhja e cila nisi në orën 10:00 dhe zgjati rreth dy orë, u shoqërua me debate pasi këshilltarët demokratë, megjithëse deklaruan votën e tyre pro shkarkimit, kërkuan që Veliaj të ishte i pranishëm në mbledhje dhe të lejohej të fliste rreth kërkesës për shkarkim.

Fabian Topollaj, Dorian Teliti, Ilda Zhulali dhe Genc Gjokutaj, insistuan që fjala e Veliajt të dëgjohej sot në orën 16:00 kur është parashikuar për t’u mbajtur edhe mbledhja e Këshillit Bashkiak.

Gjatë votimit këshilltarët e majtë dhe të djathtë kanë ngritur dorën “pro” kalimit në seancë të pr.vendimit për shkarkimin e Veliajt, ndërkohë që vetëm Fabian Topollaj nuk ka votuar.

Veliaj, i cili është i arrestuar që prej muajit shkurt, kërkoi të ishte i pranishëm në mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës, ku do të votohet për shkarkimin e tij.

Në letrën adresuar Erion Veliajt, Këshilli reagoi se në rast të pamundësisë për të qenë prezent në mbledhje, atëherë observacionet t’i përcjellë me shkrim pranë këshillit bashkiak.

Veliaj ka sqaruar në kërkesën e tij se mungesa për më shumë se tre muaj, nuk është si pasojë e vullnetit të tij, por si rrjedhojë e një mase sigurie, të cilën do ta kundërshtojë në të gjitha instancat gjyqësore. Ndaj dhe kërkonte që të dëgjohet në mbledhje përpara se këshillit të votonte për shkarkimin e tij.

Vendimi do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë. PS e ka zgjedhur kandidaten socialiste për të garuar për bashkinë e Tiranës. Ajo është Ogerta Manastirlu, emri i së cilës u bë i dituar gjatë asamblesë së PS më 11 shtator. Ndërkohë që demokratët ende nuk kanë dalë me një kandidat.

 

Përbërja e Komisionit të Ccështjeve ligjore

Blerina Doracaj (kryetar)

Genci Gjokutaj (nënkryetar)

Silda Çepe

Albina Nanaj

Halit Valteri

Agim Kraja

Glindxhet Madhi

Arta Dollani

Silva Caka

Krenar Canollari

Endrit Shabani

Fabian Topollari

Ervin Dushku

Ilir Alimehmeti

Sonila Qato

Top Channel